Përfundoi takimi i delegacionit amerikan me atë rus në Riad të Arabisë Saudite. Takimi ishte i suksesshëm dhe konstruktiv, thanë delegatët rus. Palët u pajtuan për kushtet e një takimi mes presidentit rus Putin dhe presidentit amerikan Tramp. Sipas palës amerikane, takimi i sotëm kishte në fokus të shihte nëse Rusia është “serioze” në dhënien fund të luftës në Ukrainë.
“Kemi rënë dakord për katër parime. E para është se do të punojmë. Pika e dytë është se do të caktojmë një ekip të nivelit të lartë për të ndihmuar në negocimin dhe punën deri në fund të konfliktit në Ukrainë. Pika e tretë është të shqyrtojmë si bashkëpunimin gjeopolitik ashtu edhe atë ekonomik. Dhe e fundit, të sigurohemi se ky proces është produktiv”, tha Marco Rubio, Sekretari Amerikan i Shtetit.
Ndërkaq, pala ruse theksoi se prioritet do të ketë normalizimi i marrëdhënieve me SHBA-në. Zëdhënësi i Putin, Dimitri Peskov ka thënë se Rusia nuk është kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, për aq kohë sa nuk përbën kërcënim për sigurinë.
“Vetë Putin ka thënë vazhdimisht se, nëse është e nevojshme, ai do të ishte gati të negocionte me presidentin ukrainas Zelenskyy. Sa për sigurinë në Evropë, një zgjidhje gjithëpërfshirëse, një zgjidhje afatgjatë është e pamundur pa një shqyrtim tërësor të çështjeve të sigurisë në kontinent”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin.
Presidenti Volodimir Zelenski ka deklaruar se Ukraina nuk ka qenë e informuar për këtë bisedim dhe se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që nuk përfshin Ukrainën si palë. Takimi i sotëm në Riad është zhvilluar pas intensifikimit të përpjekjeve të Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, ndonëse taktikat kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë, meqë ka paqartësi për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, me qëllim të dhënies fund të luftës.