Rusia ka pranuar faljen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për votën e Serbisë në Kombet e Bashkuara (OKB).
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, komentoi ngjarjet aktuale, përfshirë votimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rezolutën evropiane për Ukrainën.
Peskov, duke kujtuar se Vuçiq u kërkoi falje qytetarëve të Serbisë për faktin se vendi i tij votoi për rezolutën evropiane për Ukrainën, tha se “Rusia e kupton se ishte një gabim i vërtetë”.
“Sigurisht, ne e dëgjuam këtë dhe e morëm parasysh”, tha ai kur u pyet nëse Kremlini e kishte pranuar faljen e Vuçiqit.
“Gabime teknike ndodhin”, tha Peskov.
Vuçiq tha mbrëmë se beson se vendi i tij ka bërë gabim dhe është dashur të tregohet e përmbajtur.
“Mendoj se Serbia ka bërë një gabim sot. Për këtë u kërkoj falje qytetarëve të Serbisë dhe mbaj përgjegjësi për këtë, sepse jam i lodhur dhe i ngarkuar dhe nuk mund të arrij gjithçka”, tha Vuçiq i cili ishte i ftuar në një televizion lokal.
Mbrëmë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi një rezolutë që bën thirrje për përfundimin e shpejtë të luftës në vazhdim dhe vendosjen e paqes së përhershme midis Rusisë dhe Ukrainës.