Rritet numri i pacientëve me grip, Rexhepi: Shtohen thirrjet në urgjencë

Është rritur numri i pacientëve me grip. Mjekët thonë që edhe në ndihmën e shpejtë janë shtuar thirrjet telefonike, mirëpo për shkak të ekipeve të pakta që i kanë disa raste i trajtojnë vetëm me telefon, ndërsa për rastet më urgjente shkojnë për intervenim në terren.

“Është arritur piku i gripit dhe shumica e thirrjeve që i kemi në 194 janë pikërisht për këto simptome. Paraqiten qytetarët për të kërkuar ndihmë, normal ne i klasifikojmë rastet dhe në rast nevoje shkojmë intervenojmë, në shumicën e rasteve u japim këshilla. Ankohen më së shumti për temperaturë të lartë, për dhimbje të të gjithë trupit, kollitje e thatë dhe normal terapia është simptomatike, sepse siç dihet është shkaktar virusi dhe apelojmë që populli mos të fillojnë menjëherë me antibiotikë, siç e kemi shprehi, d.m.th. të provohet njëherë me terapi simptomatike antipiretikë, paracetamol, daleron.”, – deklaroi mjeku në Ndihmën e Shpejtë, Rihad Rexhepi.

Mjeku Rexhepi po ashtu thekson që fillimisht të vizitohet mjeku amë në rast të simptomave të para, sepse fëmijët mund të infektohen edhe më shumë gjatë pritjeve nëpër klinika.

“Apelojmë edhe për fëmijët se dihet që janë më të ndjeshëm nëse janë vetëm simptome siç i cekëm dhe nuk kanë ndonjë komorbiditet tjetër. Mos të shkojnë drejt në Klinikë, sepse fëmijët mund të mos kenë simptome dhe pasqyrë klinike të rëndë dhe nga pritja e gjatë mund të infektohen.”, – theksoi mjeku në Ndihmën e Shpejtë, Rihad Rexhepi.

Mjekët i rekomandojnë pacientët për më shumë kujdes në këtë periudhë, përdorimin e vitaminave dhe mineraleve, marrjen e më shumë lëngjeve, shmangien në ambientet e hapura, pasi që edhe ndotja e ajrit ndikon në përkeqësimin e shëndetit të qytetarëve.