Rama pajtohet me Grenellin për Thaçin: Sa më shumë të mbahet në burg, aq më e madhe njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është pajtuar “absolutisht” me Richard Grenell, i cili tha se mbajtja në paraburgim e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është padrejtësi e rëndë e cila duhet të marrë fund.

“Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë, aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë”, shkroi kryeministri shqiptar në X, duke shpërndarë postimin e zyrtarit të lartë amerikan.

Ndërsa i uroi kosovarët për 17-vjetorin e pavarësisë, Grenell kujtoi “padrejtësinë e rëndë” që tha se po i bëhet “atit themelues të shtetit të Kosovës”, Hashim Thaçit.

“Megjithatë, ky përvjetor është i errësuar nga një padrejtësi e rëndë. Ati themelues i shtetësisë së Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, duhet ta festonte sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë”, shkroi ai ndër tjerash.