Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë një letër urimi me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Letra e shkruar nga Rama, është marrë më 13 shkurt, por është bërë publike të mërkurën, më 19 shkurt.
Rama në këtë letër ka theksuar se përtej sfidave të shumta që ka pasur Kosova, me mbështetjen e pakursyer të aleatëve ka shënuar arritje tejet të lartë.
“Përtej sfidave të shumta e sakrificave të mëdha, me mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer të aleatëve tanë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, Republika e Kosovës ka shënuar arritje të paimagjinueshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe Shtetit të së Drejtës”.
Një histori progresi i gjithanshëm demokratik dhe prosperiteti”, thuhet në letrën që u është dërguar mediave nga Zyra e kryeministrit Kurti.
Ndër të tjera, Rama ka shprehur mirënjohje ndaj themeluesve të Republikës.
“Përulemi sot përpara themeluesve të Republikës, duke shprehur pafundësisht mirënjohjen tonë. Një rrugëtim sfidues dhe i suksesshëm deri më 17 shkurt të vitit 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe një rrugëtim po kaq sfidues e i suksesshëm, deri më sot, për forcimin e saj”, shkruan Rama.
“Edhe një herë, duke riafirmuar gjithë vullnetin tonë për bashkëpunim të gjithanshëm, unë, Ju uroj nga zemra gëzuar Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Shkëlqesia Juaj, dhe nëpërmjet Jush, gëzuar të gjithë motrave e vëllezërve të Kosovës”, mbyllet letra.