Rama bisedë telefonike me Zelenskyn, zbardhen çështjet e diskutuara

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi përmes një postimi në rrjetin social “X” se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Zelensky ndau detaje nga biseda, duke falënderuar qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës. Ai theksoi se diskutoi me kryeministrin Rama për projekte të përbashkëta dhe mundësi e perspektiva të reja.

“Kam pasur një bisedë të mirë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Falënderoj qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës dhe popullit tonë. Ne diskutuam shumë tema të spikatura – projekte të përbashkëta dhe perspektiva më të gjera,” shkruan Zelensky.

Përveç kësaj, ai u shpreh se është thelbësore që Evropa të jetë pjesë e tryezës së bisedimeve për paqen, duke shtuar se çdo diskutim lidhur me Ukrainën duhet të ketë pjesëmarrjen e Ukrainës.

“Është thelbësore që Evropa të jetë në tryezën e bisedimeve. Gjithçka në lidhje me Evropën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Evropës, dhe gjithçka për Ukrainën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Ukrainës,” theksoi ai.

Zelensky theksoi se një vizion i përbashkët dhe hapa të koordinuara për një marrëveshje janë të domosdoshme për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.