Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të thithin ajër të ndotur si në Shkup, ashtu edhe në qytete tjera. Për këtë, që nga 8 tetori vitin e kaluar, Gjykata Supreme u mundësoi qytetarëve pa dallim nëse janë me sëmundje kronike apo jo, të mund të padisin shtetin për ajrin e ndotur. Në nenin që është sjellë nga Gjykata Supreme, qytetari në padi nuk e ka patjetër të shkruajë fajtorin për ndotje të ajrit.
Padia do t’i drejtohet Republikës së Maqedonisë së Veriut. Më pas, detyrë e Gjykatës Administrative është të gjejë fajtorin. Nëse konstatohet se institucioni i paditur nuk ka sjellë plan aksionar për parandalim të ndotjes së ajrit, që është obligim ligjor, gjykata obligon institucionin të sjellë plan të tillë. Nëse qytetari fiton padinë para Gjykatës Administrative, atëherë në bazë të asaj mund të ngritin kallëzime penale apo procedurë civile për të kërkuar drejtësi dhe dëmshpërblim. Megjithatë, në Gjykatën Administrative deri tani nuk ka arritur asnjë padi.
“Pas kontrolleve në sistemin AKMIS, ju njoftojmë se pas sjelljes së këtij neni nga Gjykata Supreme më 08.10.2024 deri në këtë moment në Gjykatën Administrative nuk janë ngritur padi lidhur me ndotjen e ajrit”, tha Gjykata Administrative.
Edhe përskaj kësaj mundësie, qytetarët nuk janë të informuar për këtë të drejtë ligjore. Por edhe tani që e dinë, përsëri nuk do ta padisnin shtetin sepse fajtorë sipas tyre, janë vet qytetarët dhe fabrikat.
“Nuk e kam ditur se mund ta padis shtetin për ajër të ndotur. Kjo është vendosur që nga tetori i vitit të kaluar. Tani që e dini, a do ta padisnit shtetin?
Se di, me siguri jo. Nuk është gjithçka tek ata, është tek ne që ngasim vetura gjithë kohës. Nuk shfrytëzohet transporti publik, nuk shfrytëzohen biçikletat. Nuk është gjithçka te shteti sipas meje”, u shpreh një qytetar.
“Jo. Sinqerisht të them jo. Por gjithsesi shteti, gjegjësisht organet janë fajtorë për atë që po ndodhë këtu. Para se gjithash mendoj se urbanizmi është.
Tani që e dini, a do ta padisnit shtetin për ajër të ndotur?
Jo, jo! Pse?
Mendoj se kjo zgjidhet në një mënyrë sistematike përmes marrëveshjeve mes institucioneve”, shtoi një tjetër qytetar.
“Po e dimë.
E dini? Dhe, a keni menduar që ta padisni?
Jo! Pse? Se di, nuk më pengon ajri i ndotur. Jemi mësuar tashmë, jemi imunë në ajr të ndotur.
Fabrikat, tjetër nuk mendoj. Edhe ne qytetarët jemi fajtorë, edhe ne ndotim kështu që të gjithë si kolektiv jemi fajtorë”, u shpreh një qytetar.
Sipas një raporti të fundit të UNICEF-it, në Maqedoni, rastet e vdekjeve të fëmijëve të porsalindur e që lidhen me ndotjen e ajrit shënojnë 11,6% apo çdo i nënti fëmijë, në moshë deri në një vjet. Çdo vit në vjeshtë e dimër, Shkupi gjendet në krye të listës së qyteteve më të ndotura në botë.