Policia e Tetovës i kapi 2 hajdutët të cilët për një muaj kishin kryer vjedhje në rreth 20 shtëpi

“Patën operuar për gati katër javë, me target kryesor shtëpitë e mërgimtarëve, që janë të mbyllura dhe pa njerëz në to, por, nuk kursyen edhe shtëpitë tjera që në moment i hasnin pa njerëz”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.

Vjedhjet më të mëdha ishin kryer në Pallaticë të komunës së Zhelinës, mbi dhjetë, por edhe në Tetovë dhe Gostivar.

Nga policia thonë se hajdutët vidhnin çfarë t’u dilte përpara. Aparate të teknikës së bardhë, makina pune, goma të shtrenjta të makinave dhe madje edhe makina të rënda për përpunim të drurit.

“Gjatë masave të ndërmarra për zbardhjen e disa vjedhjeve, gjegjësisht 17 të atilla të rënda të kryera në rajonin e Zhelinës, Bërvenicës dhe Gostivarit, kanë privuar nga liria dy persona. Personin Z.J. nga Zhelina dhe personin A.A, 47 vjeç nga Tetova. Gjatë kryerjes së bastisjes së objekteve ndihmëse që shfrytëzonin këta dy persona, u gjetën dhe konfiskuan gjësende të vjedhura që janë të një sasie më të madhe, të vjedhura në objekte në ndërtim e sipër, depo, shtëpi e kështu me radhë”, tha Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.

Sendet e vjedhura hajdutët i depononin në shtëpitë e mërgimtarëve, edhe atë në Pallaticë të Zhelinës dhe në Tetovë.

“Janë disa lokacione, Zhelinë, Uzurmisht dhe Tetovë, e që janë objekte ndihmëse ku i kanë mbajtur dhe janë bërë gati për t’i shitur në vende të ndryshme”, u shpreh Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.

Sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës, në ditët në vijim do të vazhdojë me kthimin e gjërave të vjedhura tek pronarët e tyre, ndërsa ndaj dy personave të dyshuar për vjedhje është ngritur hetim dhe pritet që të dalin para gjykatësit hetues. /