Plani i Trump për paqe, reagon për herë të parë Ukraina: Të palëkundur për në NATO

Pas bërjes publike të lajmit se presidentit amerikan Donald Trump zhvilloi një bisedë 90-minutëshe me Vladimir Putin, në të cilën ata ranë dakord të fillojnë menjëherë negociatat për përfundimin e luftës, kanë ardhur dhe reagimet e para nga pala ukrainase.

Trump, ndër të tjera, e përshkroi si “jopraktike” anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke shkaktuar shqetësime se mund të ketë ofruar lëshime ndaj Rusisë përpara se bisedimet të nisin.

Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy mbajti një qëndrim diplomatik, duke shprehur mirënjohjen për interesin e Trump në arritjen e një paqeje të qëndrueshme.

“Kam pasur një bisedë të gjatë dhe të detajuar me Presidentin Trump,” shkroi ai në rrjetet sociale. “Unë e vlerësoj interesin e tij të vërtetë për mundësitë tona të përbashkëta dhe se si ne mund të sjellim paqe të vërtetë së bashku.

Zelenskyy konfirmoi se diskutimet përfshinë çështje diplomatike, ushtarake dhe ekonomike, por shtoi se trump e informoi mbi bisedën që pati me Putin.

“Ne besojmë se forca e Amerikës, së bashku me Ukrainën dhe të gjithë partnerët tanë, është e mjaftueshme për ta shtyrë Rusinë drejt paqes,” shtoi ai.

Në përgjigje të komenteve të Trump mbi NATO-n, sekretari i mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, deklaroi se qëndrimi i vendit nuk ka ndryshuar.

“Ne duhet të mësohemi me të gjitha llojet e deklaratave,” tha ai për mediat ukrainase. “Pozicioni ynë ka mbetur i pandryshuar. Ne duam të jemi një vend i NATO-s. Ne do të jemi një vend i NATO-s.”