Është zbardhur dëshmia e Sebastian Muçmatës, autorit të dyshuar për plagosjen e Elvis Halilajt, kushëririt të kryebashkiakut të Kukësit, Albert Halilaj.
Sipas dëshmisë së Muçmatës, konflikti ka lindur për shkak të detyrës së vëllait të tij, Zenel Muçmata, i cili mban postin e Drejtorit të Drejtorisë së Shërbimit Publik në Bashkinë Kukës.
Muçmata deklaroi se nuk kishte qëllim të vriste askënd, por veproi në vetëmbrojtje pasi Qerim Halilaj, vëllai i të plagosurit, i kishte drejtuar armën babait të tij, Izet Muçmata.
Në ato momente, ai mori një pistoletë nga makina dhe qëlloi në drejtim të rrugës ku ndodheshin dy vëllezërit Halilaj.
Muçmata theksoi se, po të kishte pasur qëllim vrasjen, do ta kishte realizuar, por synimi i tij ishte vetëm të mbronte veten dhe familjen.
Konflikti dyshohet të ketë nisur pasi Zenel Muçmata, në detyrën e tij si Drejtor i Shërbimeve Publike, ka ndikuar në largimin nga puna të Elvis Halilajt.
Aktualisht, Zenel Muçmata nuk është ndaluar nga autoritetet, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.
Sebastian Muçmata, përballet me akuzat për “vrasje me dashje në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal.