Perinski në Aerodrom: Projekt për një pamje të re dhe urbanizim të zonës

Aktivitetet ndërtimore për rehabilitimin dhe modernizimin e zonës publike pas Qendrës Tregtare “Kapitoll” nisën sot. Kjo hapësirë prej 4500 m², e cila deri më tani nuk është rinovuar, do të rikonstruktohet falë projektit për të cilin Komuna e Aerodromit ka marrë mjete nga buxheti i shtetit përmes thirrjes së parë publike për mbështetje financiare për projektet e infrastrukturës komunale.

U.d. kryetar i Komunës, Dejan Miteski, së bashku me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale dhe zëvendësin e tij, Zllatko Perinski dhe Erxhan Selimi, dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikoloski, në portofolin e të cilit është projekti, i uruan mirëseardhje kryeministrit Hristijan Mickoski, të cilin e njoftuan për detajet e projektit.

Ai përfshin vendosjen e hidroizolimeve të reja, shtrimin me pllaka graniti, pajisje të reja urbane, stola, kosha, gjelbërim dhe ndriçim të ri. Vlera e përgjithshme e rikonstruksionit është 45 milionë denarë.

“Ky projekt është dëshmi se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Mickoski është partnere e pushteteve lokale. Kështu kemi filluar dhe kështu vazhdojmë, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha ministri Perinski, duke shprehur mirënjohje për gatishmërinë e ushtruesit të detyrës kryetar i Komunës, Miteski për të shfrytëzuar mjetet e vëna në dispozicion nga Qeveria.

Miteski informoi se Komuna e Aerodromit ka marrë 3,4 milionë euro për tetë projekte nga thirrja e parë dhe paralajmëroi përgatitje për thirrjen e dytë, e cila do të sjellë mundësi shtesë për transformimin e komunës. “Këtë verë presim që Aerodromi të përjetojë një transformim të madh”, shtoi ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës.

Kryeministri Mickoski theksoi se rindërtimi i kësaj zone do ta bëjë Aerodromin edhe më të bukur dhe më funksional për qytetarët dhe u bëri thirrje komunave që të përgatisin aplikacionet e tyre për thirrjen e dytë publike, e cila do të shpallet javën e ardhshme me kushte më të favorshme në krahasim me thirrjen e parë.

Ngjarja e sotme shënoi përfundimin e vizitës në terren të ministrit Perinski në Komunën e Aerodromit, në kuadër të iniciativës “Ku zemra është në shtëpi”, në të cilën Aerodromi ishte komuna e parë që ishte nikoqire e serisë së vizitave.