A mundet shteti ta ulë çmimin për metër katror të hapësirave banesore në vend, që në Shkup arrijnë mbi 2.000 deri në 3.000 euro?! Nga Qeveria thonë se do të punojnë në ndërtimin e banesave komerciale që duhet të jenë konkurrente me sektorin privat, çmimi i të cilit duhet të ulet.
Por ndërtuesit janë decid, shteti mund të intervenojë në treg dhe të ndihmojë kategoritë me rrezik social të sigurojë banesë shtetërore, por jo edhe të ulë çmimin e sektorit privat. Çmimet do të ngelen të njëjta. Sipas tyre po vjen koha si në Europë, kur nuk mund secili të blejë banesë. Thonë se tani ndërtojmë për ato që mund të blejnë nga 3 – 4 banesa, por shteti duhet të mbajë llogari për çiftet e reja, kategoritë me rrezik social që të mund të kenë kulm mbi kokë.
Rekomandojnë që banesat shtetërore të mos shkojnë në ankand dhe të kenë çmim fiks, për shkak se tani në ankande çmimet arrijnë deri në 2.000 euro. Sipas tyre çmimet e tanishme në treg nuk janë reale, por as nuk do të ulen – presin stabilizim të çmimit për metër katror të apartamenteve, posaçërisht në kryeqytet.