Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të penguar ambiciet bërthamore të Iranit dhe “agresionin” e tij në Lindjen e Mesme, ka thënë të dielën kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pas një takimi me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.
Duke folur pas një takimi me Rubion në Jerusalem, Netanyahu ka thënë se ata kishin mbajtur një “diskutim shumë produktiv” për një numër çështjesh, “asnjë më të rëndësishme se Irani”.
“Izraeli dhe Amerika qëndrojnë krah për krah për t’iu kundërvënë kërcënimit të Iranit. Ne ramë dakord që ajatollahët nuk duhet të kenë armë bërthamore dhe gjithashtu ramë dakord që agresioni i Iranit në rajon duhet të largohet”, ka deklaruar Netanyahu.
Ndërkaq Marco Rubio ka thënë se pas çdo grupi terrorist, pas çdo akti dhune dhe pas çdo aktiviteti destabilizues është Irani”.
Netanyahu ka thënë se Izraeli i ka dhënë një “goditje të fuqishme” Iranit gjatë 16 muajve të fundit që nga fillimi i luftës në Gaza kundër Hamasit dhe ka thënë se me mbështetjen e Trumpit “nuk kam dyshim se mund dhe do ta përfundojmë punën”.
Ai ka shtuar se Izraeli ka dobësuar lëvizjen e Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Libanin jugor dhe ka goditur qindra objektiva në Siri për të parandaluar hapjen e një fronti të ri të mbështetur nga Irani kundër Izraelit.
“Tani, nëse ndonjë forcë tjetër beson se Izraeli do të lejojë forcat e tjera armiqësore të përdorin Sirinë si bazë të operacioneve kundër nesh, ata gabohen rëndë”, ka shtuar Netanyahu.
Duke falënderuar Rubion për “mbështetjen e qartë” për politikën e Izraelit në Gaza, Netanyahu ka thënë se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nën presidentin, Donald Trump kanë një strategji të përbashkët në enklavën palestineze, ku një armëpushim i brishtë është në fuqi midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit pas 15 muajsh lufte.
“Dua të siguroj të gjithë ata që tani po na dëgjojnë, presidenti Trump dhe unë po punojmë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë mes nesh”, ka thënë ai.