Netanjahu për planin e Trumpit për Rripin e Gazës: “Plani mund ta ndryshojë historinë.”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se plani i presidentit amerikan Donald Trump për Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin kontrollin mbi Rripin e Gazës mund të “ndryshojë historinë”.

Netanjahu theksoi se një nga qëllimet e tij në luftë është që të sigurojë që Gaza të mos paraqesë më kërcënim për Izraelin, shkruan “Times of Israel”.

Trump, tha ai, ka një vizion të ndryshëm për rajonin, i cili ka qenë “qendër e terrorizmit dhe sulmeve ndaj Izraelit”.

Kryeministri izraelit shtoi se është e rëndësishme të kihet parasysh plani i Trumpit dhe se ai mund të ndryshojë rrjedhën e historisë. Netanjahu po ashtu theksoi se Hamasi, gjatë “armëpushimit të përkohshëm” aktual, po planifikon të kryejë një sulm më të madh se ai i 7 tetorit.

Duke folur për paqen në rajon, Netanjahu theksoi se paqja nuk mund të arrihet nëse Hamasi, të cilin ai e quajti “toksik dhe vrasës”, mbetet në pushtet. Ai shtoi se shkatërrimi i atyre që duan të shkatërrojnë Izraelin do të jetë çelësi për arritjen e paqes në rajon, duke përfshirë paqen me Arabinë Saudite dhe shtetet e tjera.

Në lidhje me Iranin, Netanjahu mbështeti deklaratën e Trumpit se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, duke shtuar se nëse kjo mund të arrihet përmes një fushate “presioni maksimal”, atëherë duhet të bëhet.

Trump tha se zgjidhja e çështjes iraniane, nëse mund të arrihet pa luftë, do të ishte “një sukses i madh”, por se do të mbetet të shihet si do të zhvillohet situata.