Ndotja e ajrit! Apasiev akuzon VMRO-DPMNE-në dhe VLEN-in, reagon deputeti Stojanoski

Dimitar Apasiev, ka akuzuar deputetët e VMRO -DPMNE-së dhe të VLEN-it për bllokimin e debatit mbi ndotjen e ajrit, duke e lidhur këtë me interesa korruptive dhe lidhje biznesi me kompani ndotëse. Ai ka deklaruar se 20 deputetë kërkuan nga ai organizimin e një seance mbikëqyrëse për këtë çështje dhe se është përgjegjësia e tij ligjore që ta realizojë këtë debat.

DIMITAR APASIEV – KRYETAR I PARTISË E MAJTA

“Dyshojmë se pas kësaj trillimi dhe bllokimi të një teme kaq të rëndësishme qëndrojnë interesa korruptive, pasi për herë të parë janë ftuar përfaqësues të Çimentos, të cilët si dëshmitarë do të duhet të përgjigjen për mbetjet që djegin. Duke qenë se ata paraqiten edhe si donatorë për kryetarët e DPMNE-së, dyshojmë se pas pengimit të këtij debati qëndrojnë marrëdhënie biznesi.”

Ai i kërkon kryeparlamentarit Gashi të mos bllokojë procesin dhe të mos veprojë sipas mendimit të Komisionit për Rregullore, pasi do të përballet me pasoja juridike.

Nga ana tjetër, deputeti i VMRO – DPMNE-së, Bojan Stojanoski, ka tentuar të përçmojë kërkesat e opozitës duke sugjeruar se nuk është ky një debat për të shpëtuar karrierat politike, por një mundësi për të zbuluar përgjegjësitë për mosveprimin gjatë viteve të kaluara në lidhje me ndotjen e ajrit.

Bojan Stojanoski – deputeti i VMRO-DPMNE-së,

“Ajo seancë mbikëqyrëse duhet të përfundojë me përcaktimin e përgjegjësisë së të gjithë atyre që nuk kanë bërë asgjë për të luftuar ndotjen e ajrit në vitet e fundit. Ne nuk do të marrim pjesë në debate të organizuara politikisht që synojnë t’i hedhin dikujt një litar shpëtimi dhe t’i shpëtojnë karrierën e tij politike. Do të mbahet një debat mbikëqyrës që do të japë përgjigje, por nuk do të shtrojë pyetje dhe nuk do t’i shpëtojë askujt karrierën politike.”

Në këtë përplasje, opozita ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit dhe autoritetet përkatëse që të respektojnë ligjin dhe të sigurojnë zhvillimin e këtij debati pa pengesa, duke e trajtuar këtë si një çështje të rëndësishme për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Ata kanë paralajmëruar se çdo përpjekje për të sabotuar këtë proces ligjor do të përballet me pasoja juridike.