Sekretari i përgjithshëm i NATO-s i ka bërë thirrje vendeve anëtare të rrisin shpenzimet për ushtrinë në kuadër të kërcënimeve nga Rusia. Sipas raportimeve, Spanja shpenzon më pak për mbrojtjen në raport me madhësinë e ekonomisë së saj.
Spanja është ekonomia e katërt më e madhe e eurozonës. Megjithatë, vendi është në fund të listës kur bëhet fjalë për shpenzimet e mbrojtjes në aleancën 32 anëtarëshe të NATO-s.
Madridi shpenzoi rreth 21.3 miliardë dollarë për mbrojtjen vitin e kaluar, apo 1.28% të Prodhimit të saj të Brendshëm Bruto, pavarësisht zotimit që NATO ka bërë më 2014 për të shpenzuar të paktën 2%.
Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez, tha se Spanja është e përkushtuar për të arritur objektivin prej 2% deri në vitin 2029. Ai shtoi se shpenzimet për mbrojtjen ishin rritur me 70% gjatë dekadës së fundit. Kryeministri Sanchez shtoi se Madridi, në përgjithësi, ishte kontribuesi i 10-të më i madh i NATO-s.
Presidenti Trump e cilësoi kontributin e Spanjës në NATO si “shumë të ulët”. Ai gjithashtu kërkoi rritjen e objektivit të shpenzimeve për mbrojtjen.