Miteva: Qeveria e obligoi MD-së të fillojë procedurën për shkarkimin e Prokurorit Publik të Shtetit dhe kufizoi marzhet e çmimeve me 10 për qind

„Të nderuar,

Më lejoni t’ju njoftoj për vendimet e mbledhjes së sotme të 50-të me rradhë të Qeverisë.

Qeveria e obligoi Ministrinë e Drejtësisë të ndërmarrë aktivitete për fillimin e procedurës për shkarkimin e Prokurorit Publik të Shtetit. Zhgënjimi i Qeverisë për veprimet jashtë kompetencave ligjore, zhgënjimi i qytetarëve për sistemin që nuk funksionon dhe vazhdimi i përditshëm i këtyre situatave rezultojnë me humbje të besimit dhe mosfunksionim të shtetit ligjor.

Më lejoni të shpjegoj argumentet mbi të cilat u bazua ky vendim. Së pari, u hap diskutimi për Indeksin e fundit të Transparencës, i cili u publikua sot dhe ku mund të shihej në detaje se katër pika konkrete lidhen me gjendjen në prokurori dhe gjyqësor. Për më tepër, emërimi i fundit i ushtruesit të detyrës Shef të Prokurorisë së Lartë Publike në Shkup është një vendim i paligjshëm, pra jashtë dispozitave të përcaktuara në Ligjin për Prokurorinë Publike.

Si pikë e dytë, lidhur me situatën aktuale të rritjes së çmimeve të produkteve në tregje dhe bazuar në raportin e dorëzuar nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, Qeveria miratoi përfundimet dhe vendimet e mëposhtme:

Qeveria i ngarkoi Ministrinë e Ekonomisë që të propozojë masën e ardhshme, Vendim për kufizimin e marzhës me 10 për qind në tregtinë me pakicë dhe 10 për qind në tregtinë me shumicë për produktet ushqimore bazë, të njëjtat 73 grupe produktesh që ishin në shportat e mëparshme.

Por, e njëjta të plotësohet edhe me produkte higjienike, si detergjentët, si dhe me ushqim për foshnja dhe produkte të tjera jo ushqimore, për të cilat është vërejtur një marzhë shumë e lartë, ndërsa janë pjesë e nevojave bazë të qytetarëve. Presim që të përfshihen mbi 100 grupe produktesh. Kjo masë pritet të hyjë në fuqi shumë shpejt dhe do të zgjasë deri më 30.04.2025.

Qeveria u rekomandon të gjitha marketeve të fillojnë procedurën për publikimin transparent të çmimeve të të gjitha produkteve dhe përditësimin e tyre në baza ditore. Qëllimi i këtij rekomandimi është të rritet transparenca, duke u mundësuar qytetarëve të vendosin vetë se ku të blejnë, të shohin ndryshimet në çmime, ndërsa vlerësojmë se kjo qasje, e cila ka karakter rekomandimi dhe jo kufizimi, do të ndihmojë në harmonizimin e çmimeve të produkteve.

Gjithashtu, Qeveria e obligoi Ministrinë e Ekonomisë dhe të Punës që të organizojë takim urgjent me të gjitha institucionet kompetente, si Inspektorati Shtetëror i Tregut, ministrinë e Financave dhe atë të Bujqësisë, KMK dhe të tjerët, ku mund të shqyrtohen propozime dhe masa të tjera me synim një zgjidhje afatgjatë të kësaj situate.

Po ashtu, u miratua edhe Programi për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Energjisë në rrezik social për vitin 2025, i cili parashikon që personat që plotësojnë kushtet e përcaktuara në këtë program të përfitojnë mbështetje financiare në formën e një uljeje prej 1000 denarësh në faturën mujore të energjisë elektrike për një periudhë 12-mujore.