Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatë nuk ka vend për diskriminim në asnjë bazë, partizimin e mëparshëm e kemi zëvendësuar me respektimin e procedurave ligjore, thonë nga Ministria e Mbrojtjes në reagimin e sotëm me shkrim në të cilën kategorikisht i hedhin poshtë pretendimet e bëra sot nga deputeti i BDI-së Talat Xhaferi.
“Deputeti Talat Xhaferi, i cili si ish ministër i Mbrojtjes dhe deri vetëm shtatë muaj më parë pjesë e qeverisë së koalicionit, duhet të dijë se si funksionon sistemi i mbrojtjes”, thuhet në reagim.
Nga Ministria e Mbrojtjes theksojnë se në krye me ministrin Vllado Misajllovski, në mënyrë më profesionale dhe më të përgjegjshme e respektojnë parimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të të gjitha komuniteteve, i cili bazohet në kriteret e profesionalitetit dhe kompetencës dhe zbatohet gjatë punësimit, procesit të orientimit në karrierë, aftësimit profesional, aftësimit të avancuar dhe arsimimit të të gjithë të punësuarve në Ministri.
“Siç është i njoftuar opinioni tani, Ministria e Mbrojtjes është aktualisht në proces riorganizimi të brendshëm strukturor, ndaj dhe gjetjet janë interpretuar në mënyrë arbitrare dhe paushall. Deputeti Xhaferi me vetëdije po shpërndan dezinformata edhe pse e di shumë mirë se që nga ndërrimi i pushtetit në vend në fund të qershorit të vitit 2024, asnjë pjesëtar i komunitetit etnik shqiptar nuk është ndryshuar, degraduar apo diskriminuar në përputhje me sistematizimin e ri në Ministri”, theksojnë nga Ministria e Mbrojtjes.
Për të ilustruar situatën aktuale, ata theksojnë se aktualisht, postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes e mban një pjesëtar i komunitetit etnik shqiptar.
“Pjesëtarët e komunitetit etnik shqiptar janë të përfaqësuar në të gjitha strukturat e Ministrisë dhe të Armatës, duke filluar nga organet më të larta drejtuese, gjegjësisht nga pozitat e punës këshilltar shtetëror, shef sektori, ndihmës shef sektori, shef departamenti dhe të gjitha pozitat e tjera, si dhe në të gjitha nivelet e Armatës nga ushtarë profesionistë deri te gjeneralë”, thuhet në reagim.
Nga Ministria e Mbrojtjes theksojnë se në periudhën e kaluar vëmendje të veçantë i kanë kushtuar masave inkurajuese për të inkurajuar dhe inkorporuar përfaqësimin e duhur dhe të drejtë të komuniteteve, veçanërisht kur bëhet fjalë për shpalljet interne, por edhe për shpalljet dhe konkurset publike.
Lidhur me informacionin e paraqitur për numrin e personelit ushtarak në Armatë me pjesëtarë të përkatësisë etnike shqiptare, nga Ministria e Mbrojtjes informojnë se në janar të vitit 2025, përfaqësimi është 24,26 për qind, ose 1,18 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishte 23,08 për qind. Për sa i përket kuadrit të komandantëve, në disa njësi, pjesëtarët e Armatës me kombësi shqiptare janë rreth 30 për qind, dhe për shembull, përfaqësimi në Policinë Ushtarake është 29,27 për qind.
Deputeti i BDI-së dhe ish kryetar i Kuvendit, Talat Xhaferi, në konferencën e sotme për media theksoi se muajt e fundit është zbatuar një politikë diskriminuese, ku shqiptarët janë përjashtuar plotësisht nga pozitat udhëheqëse, si dhe është vërejtur një proces i degradimit të oficerëve me përvojë.