Ministri holandez i Mbrojtjes: Trump nuk është i informuar mirë për luftën në Ukrainë

Ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans tha se presidenti amerikan Donald Trump “nuk është i informuar mirë” për luftën në Ukrainë.

Brekelmans i konsideron shqetësuese deklaratat e presidentit amerikan sepse ato përhapin dezinformata.

“Ne duhet të sigurohemi që faktet të mbeten të qarta në të gjithë diskutimin për Ukrainën. Dhe ky është një fakt i tillë: (Presidenti rus Vladimir) Putin është një diktator, Putin sulmoi Ukrainën, jo anasjelltas,” tha Brekelmans.

Trump e kishte quajtur më parë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky “një diktator pa zgjedhje” në një postim në rrjetet sociale dhe tha se mbështetja për presidentin ukrainas ishte në rënie dhe se ai tani ka vetëm “katër për qind mbështetje”.

Zelensky u zgjodh për një mandat pesë-vjeçar në vitin 2019, dhe zgjedhjet presidenciale u caktuan për pranverën e vitit 2024, por sipas ligjit ukrainas, asnjë zgjedhje nuk mund të mbahet gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.

Ai tha se zgjedhjet në Ukrainë do të mbahen pasi të hiqet gjendja e jashtëzakonshme dhe raportet e publikuara të mërkurën nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë në Kiev treguan se Zelensky ende ka besimin e rreth 57 për qind të ukrainasve.