Milani pëson humbjen e dytë radhazi në Serie A

Milani nuk po arrin të këndellet, që prej eliminimit nga Liga e Kampionëve, prej Feyenoordit.

Pas humbjes nga Torino gjatë fundjavës që lamë pas, Milani sonte u paraqit përsëri për një ndeshje të Serie A-së, por kjo qe ndeshja e mbetur e javës së nëntë të kampionatit.

Atëbotë, ndeshja e xhiros së nëntë me Bolognan u shtye shkaku i motit të keq që mbizotëronte në atë pjesë.

Andaj, ndonëse “Rossonerët” kishin një orar të ngjeshur, ndeshja u luajt sonte, më 27 shkurt.

Në “Renato Dall’Ara”, ishte Bologna që fitoi me “remuntada”, duke u kthyer nga 0-1 në 2-1.

Serinë e golave në këtë përballje e hapi Rafael Leao në minutën e 43-të, pas një asistimi nga Santiago Gimenez.

Në mënyrë kontraverse, Bologna barazoi 1-1 me anë të Castros në minutën e 48-të të ndeshjes.

8 minuta para fundit të takimit, në skenë doli zviceran Dan Ndoye, i cili shënoi për 2-1 dhe për epilogun e takimit.

Me këtë fitore, Bologna ngjitet në pozitën e gjashtë në tabelë me 44 pikë, derisa Milani mbetet i teti me 41 pikë të tubuara.

Ndeshjen e ardhshme, Bologna e luan të dielën me Cagliarin, përsëri si vendase.

Milani në anën tjetër do të luajë një ndeshje mjaft të vështirë me Lazion në “San Siro”. Edhe kjo ndeshje do të luhet të dielën.