Kryeministri pret që nën presionin e opinionit anëtarët e Këshillit Gjyqësor të japin dorëheqje. I pyetur se si do të përzgjidhen anëtarët e ri të këshillit, ai tha se kjo do të bëhet në përputhje me ligjin që do të jetë në fuqi në atë moment, por theksoi se fillimisht duhet të përdoret opinioni për të bërë ndryshime në përbërjen aktuale të këshillit.
“Përndryshe, cilat janë mjetet, le të mos ketë dilemë, do të luftojmë publikisht. Vlerësoj që publiku nuk është i kënaqur me punën e këtij këshilli gjyqësor, me përbërjen e këtij këshilli gjyqësor dhe mendoj se nuk ka mjet më të mirë se opinioni. Opinioni publik, për këtë e keni fjalën? Po, absolutisht”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Për nismën e deputetëve të VMRO-DPMNE-së për interpelancë ndaj anëtarëve të Këshillit të zgjedhur nga Kuvendi, Mickoski thotë se është mjet që mund ta përdorë Kuvendi, por në fund edhe nëse interpelanca votohet, janë anëtarët ata që do të vendosin nëse do të largohen nga pozita e tyre në këshill.
“Ligji i mbron deri në fund, sigurisht që është ligji, edhe ata mund të thonë se nuk do të japim dorëheqje, do t’i detyrojmë deri sa të na mbarojnë mandatet, që shpresoj se nuk do të ndodhë, mendoj se do të jenë të virtytshëm nëse votohet interpelanca, respektivisht nëse konkluzioni i deputetëve është që të ketë ndryshime, që ata të largohen?”, shtoi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Në pyetjen e gazetarëve se çfarë do të ndodhë me Këshillin e Prokurorëve Publikë, i cili gjithashtu ka qenë cak i kritikave nga qeveria, Mickoski tha se në periudhën e ardhshme do të pasojnë shumë reforma, por theksoi se nuk dëshiron të flasë me ton kërcënues dhe se duhet të lihet koha të tregojë se çfarë ndryshimesh do të pasojnë.