Mickoski paralajmëron mega-investim: Centrale të gazit për zgjidhjen e problemit të ndotjes, 0 denarë për lidhje të amvisërive, mbi 1 miliard euro investime në energjetikë

Sot patëm takime me drejtuesit e “Kazançi Hollding”, e cila, përmes kompanive të saj energjetike që operojnë nën brendin “AKSA”, përfaqëson një nga gjigantët më të mëdhenj energjetikë në këtë fushë.

Me mbi 25 vjet përvojë, “AKSA Energy” është kompani lidere turke në sektorin energjetik dhe investitor global kyç në energjinë e qëndrueshme. Kompania ka një kapacitet të instaluar prej mbi 3.500 MW në 8 vende. Ndërsa pronari kryesor i “AKSA Energy”, “Kazançi Hollding”, operon në 22 vende në katër kontinente.

Në të kaluarën kam thënë se, kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemit të ndotjes së ajrit, ne diskutojmë me investitorë të interesuar për ndërtimin e centraleve kogjenerative të gazit, të cilat në fakt janë e vetmja zgjidhje e qëndrueshme për ajrin e ndotur. Dhe se çdo gjë tjetër do të nënkuptonte fshehjen e problemit.

Bëhet fjalë për centrale kogjenerative me një kapacitet të instaluar prej 500 MW, të cilat prodhojnë 4,1 TWh energji elektrike dhe 720 GWh energji termike në vit.

Pikërisht “Kazançi Hollding” është kompania me të cilën po diskutojmë për ndërtimin e një rrjeti dytësor të gazit dhe rrjetit të ngrohjes, i cili do të arrijë në amvisëri me kushte jashtëzakonisht të favorshme.

Lidhjet me rrjetin e gazit dhe të ngrohjes parashikohen të jenë me 0 denarë për amvisëritë, ndërsa çmimi i gazit natyror për to do të jetë shumë më i ulët sesa çmimi aktual në tregjet e bursave.

I gjithë projekti, përfshirë ndërtimin e rrjetit dytësor të gazit, rrjetit të ngrohjes dhe centraleve kogjenerative, është projektuar si një investim prej mbi një miliard euro.

Ky investim nuk është i rëndësishëm vetëm për zgjidhjen e përhershme të problemit të ndotjes së ajrit, i cili është një nga problemet kryesore të qytetarëve, për të cilin jam shumë i vetëdijshëm dhe do t’ju gënjeja po të thosha se ka zgjidhje të shpejta, por edhe për potencialin energjetik të shtetit.

Investimet në këtë fushë janë garanci për forcimin e pavarësisë sonë energjetike, e cila në shekullin e 21-të është në fakt forcim i sovranitetit të shtetit në vendimmarrje dhe drejtimin e politikave.

Po diskutojmë për projekte që janë me rëndësi themelore për mjedisin jetësor, ekonominë, pavarësinë energjetike dhe pozicionimin strategjik të Maqedonisë.

Bisedimet po vazhdojnë dhe jam i sigurt se shumë shpejt do të arrijmë marrëveshje dhe do të ketë hapa konkretë në realizimin e planeve të tyre.

Vetëm kështu punojmë për të ardhmen e të gjithë qytetarëve dhe si kryeministër, do të bëj gjithçka që këto projekte, të cilat kanë rëndësi dekadash dhe kyçe për Maqedoninë, të realizohen.”

Mickoski paralajmëron mega-investim: Centrale të gazit për zgjidhjen e problemit të ndotjes, 0 denarë për lidhje të amvisërive, mbi 1 miliard euro investime në energjetikë