Mendohuni mir ë para se t ë votoni!

Shkruan: Florim Zeqa

Fushatës së gjatë zgjedhore apo lojës së partive politike i erdhi fundi, tani topi është në dorën e qytetarëve. Janë qytetarët e vendit, ata që më 9 shkurt do të vendosin për qeverisjen e ardhshme katër vjeçare.

Fundi i fushatës zhurmuese dhe premtimeve boshe të politikanëve

Pas parafushatës gjashtë mujore dhe fushatës së zhurmshme e shurdhuese një mujore të partive politike, pas premtimeve megalomane të kandidatëve për kryeminstra dhe deputet, radha ju erdhi juve qytetarë dinjitoz të Republikës së Kosovës dhe mërgimtarë në botën mbarë, që të mendoni mirë para se të votoni.

Elektorat besnik i partive politike, premtimet dhe deklaratat që i keni dëgjuar gjatë fushatës zgjedhore janë pak të besueshme, për shkak të mungesës së sinqeritetit dhe pafuqisë së realizimit të tyre, pra janë vetëm retorikë zgjedhore sa për të grabitur votën e juaj dhe asgjë më shumë.

Qytetarët e Kosovës, të lodhur nga varfëria ekstreme dhe denigrimi social, pa asnjë shpresë për ardhmëri, do ta braktisin edhe më tejë Kosovën për të mos u kthyer më asnjëherë në ‘tokën e bekuar’, të zaptuar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar i milionerëve partiak.

Për qytetarët e zhgënjyer në këtë klasë të korruptuar politike, ditët e parafushatës dhe fushatës elektorale me plot gënjeshtra dhe premtime (mashtrime) ishin sa të gjata po aq të mundimshme.

Sikur të realizoheshin vetëm 10 % e premtimeve elektorale, Kosova do të shndërrohej në parajsë për qytetarët e vendit.

Politikanët e korruptuar janë në të gjitha listat zgjedhore

Pas një muaji të gjatë të “mrekullive” të mëdha, më 9 shkurt partitë politike i matin forcat, kurse të nesërmën më 10 shkurt i fillojnë pazaret politike për pushtet dhe do t’i harrojnë tërësisht premtimet e dhëna para qytetarëve!

Qytetarët dhe mërgimtarët e vendit tim të cilët shkojnë për të votuar më 9 shkurt e kanë një mundësi të mirë që të ndëshkojnë me votë klasën e korruptuar, mashtruesit dhe matrapazët politik!

Kosova është vendi i vetëm në rajon e ndoshta edhe në botë, ku politikanët milionerë i blejnë më së liri votat dhe shesin më së shtrënjti premtimet e tyre!

Si zakonisht çmimin e mashtrimeve të tyre e paguan popullata e varfër, e cila do të mbetët sërish duke pritur deri në zgjedhjet e radhës pa e shijuar fare aromën e mrekullisë së premtuar.

Qytetar të dashur të Republikës së Kosovës dhe bashkatdhetar në botën mbarë, mesazhi i këtij shkrimi është i qartë dhe i sinqertë, mos bini pre e premtimeve boshe elektorale të kandidatëve për kryeministra dhe deputet, por vëni gishtin kokës dhe mendoni mirë para se të votoni.

Votues të dashur të vendit tim, është në dorën tuaj që më 9 shkurt ta zgjedhni një përbërje të re deputetëve që përfaqësojnë denjësisht interesat e juaja në Parlamentin e Kosovës.

Nga këtu, shfrytëzoj nga rasti, që edhe një herë t’ju bëjë thirrje qytetarëve dhe mërgimtarëve të vendit, mos votoni sy mbyllur, por hapni sy e vesh, kthjellni mendjen para se të votoni nëse nuk dëshironi të vuani dhe vajtoni edhe për shumë vite të tjera.

Përderisa popullit t’i imponohet vota, e nuk lihet i lirë të bëjë zgjedhjen sipas dëshirës dhe bindjeve të veta, vështirë do ndodhë ndryshimi në këtë vend. Votoni për kë t’ua do zemra, por mos e leni pa votuar!

Vota e juaj është zgjedhja e juaj!

Zgjedhja e juaj më 9 shkurt e përcakton qeverisjen e ardhshme katërvjeçare!

Zoti e bekoftë votën e lirë dhe demokratike!