Mbi 30.000 investitorë kripto në Maqedoninë e Veriut, por pa kornizë ligjore

Mbi 30.000 njerëz, apo rreth 1.5 për qind e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, zotërojnë monedha virtuale, të njohura ndryshe si kriptovaluta, tregojnë ekspertët makroekonomikë në këtë vend.

Por, mungesa e një kornize ligjore e bën të paqartë demografinë e investitorëve, shumën e kapitalit të investuar dhe destinacionin e qarkullimit të parave.

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, Maqedonia e Veriut ka 1.836.713 banorë.

Eksperti i tregut të kriptovalutave, Darko Simunovski, thekson se të dhënat e vetme që ekzistojnë për këtë vend, janë ato që raportohen nga agjencitë ndërkombëtare, që merren me këto matje.

“Mund t’ju tregoj për demografinë e investitorëve në mbarë botën. Sipas hulumtimeve, shumica e investitorëve të kriptovalutave janë në grup-moshën 18 deri në 34 vjeç, me një dominim të madh të burrave, të cilët përbëjnë rreth 70 për qind të të gjithë investitorëve”, thotë Simunovski për Radion Evropa e Lirë.

Vetëm vitin e kaluar, shton ai, numri i përdoruesve në mbarë botën kaloi 430 milionë, që përfaqëson një rritje prej 170 milionë përdoruesish, krahasuar me një vit më parë.

“Kjo do të thotë se 7 për qind e popullsisë botërore zotëron kriptovaluta, ndërsa në vendin tonë përqindja është rreth 1.5, apo mbi 30 mijë – shumë më poshtë se mesatarja botërore. Me këtë mund të konkludohet se qytetarët tanë kanë njohuri të kufizuara mbi industrinë e kriptovalutave”, thotë Simunovski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka shprehur interes për ta futur këtë treg brenda kornizave ligjore, duke synuar ta bëjë Maqedoninë e Veriut “një nga vendet e para të rajonit që vendos standarde më rigoroze” për përdorimin dhe prodhimin e monedhave digjitale.

“Dëshirojmë tërë këtë legalitet ta kanalizojmë në kuadër të ligjit, por ka shumë punë, të cilat duhet të harmonizohen paraprakisht. Këtë edhe po e bëjmë. I harmonizojmë ato punë që të vijmë deri te prodhimi final. Kjo është ardhmëria dhe mendoj se do të jemi mes të parëve në rajon, nëse jo edhe të parët, që e bëjmë një gjë të tillë. Se si do të funksionojë, do të shohim, por kjo, sipas meje, është ardhmëria”, ka thënë Mickoski më 5 dhjetor të vitit të kaluar.

Ai ka propozuar edhe krijimin e një denari dhe banke digjitale maqedonase, e cila do të emetohej nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, në formë elektronike.

Pavarësisht këtyre njoftimeve, deri më tani, nuk janë ndërmarrë hapa konkretë në këtë fushë.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Financave, përgjegjëse për ligjin e kriptovalutave, si dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për afatin kohor dhe përmbajtjen e ligjit, por nuk mori përgjigje.

Në mungesë të tyre, REL-i iu drejtua edhe Ministrisë për Transformim Digjital, në përgjigjën e së cilës thuhet:

“Vetëm mund t’ju konfirmojmë se shteti e trajton seriozisht këtë çështje, duke njohur nevojën për një rregullore të re të përshtatshme, që do të sigurojë një balancë midis inovacioneve në financat digjitale dhe mbrojtjes së interesit publik. Si ministri, do të marrim pjesë aktive në këtë proces, duke ofruar mbështetje me ekspertë dhe sugjerime teknike, brenda kompetencave tona”.

Eksperti Simunovski, i cili është edhe autor i librit “Bazat e Industrisë Kripto”, vlerëson se para miratimit, ligji duhet të kalojë në një debat të gjerë publik, pasi, siç thotë, “mund të jetë një përpjekje e dështuar”.

“Rreziku më i madh është nëse kopjohen ligjet nga vendet e huaja. Në këtë mënyrë mund të ketë efekt negativ. Duhet të kuptohet se Maqedonia e Veriut nuk ka se çfarë të ofrojë në nivel global. I vetmi shans është një rregullore e mirë ligjore dhe e fuqishme dhe krijimi i organeve të reja rregullatore të bëhet nga profesionistët, e jo nga ushtarët partiakë”, thotë Simunovski.

Ai propozon edhe një sërë masash konkrete për rregullimin e ligjit të lartpërmendur, si:

• Nxitja e inovacionit: Mbështetja dhe lehtësimi i zhvillimit dhe zbatimit të zgjidhjeve inovative të blockchain-it [v.j. mekanizëm i avancuar i të dhënave që mundëson ndarjen transparente të informacionit brenda një rrjeti biznesi] në sektorin privat dhe publik, me qëllim arritjen e transparencës dhe efikasitetit.

• Sigurimi i burimeve, trajnimi dhe edukimi: Ofrimi i burimeve, trajnimeve dhe edukimit në mënyra të ndryshme për popullsinë, bizneset dhe aktorët politikë, për të përmirësuar kuptimin e teknologjisë blockchain dhe implikimet e saj në shoqëri.

• Mbështetje për bizneset dhe sektorin publik: Ofrimi i mbështetjes për zbatimin e blockchain-it dhe përdorimin e kriptovalutave në bizneset dhe sektorin publik.

• Mbështetje dhe hulumtim për aplikacione të reja: Përballja me sfidat e reja që mund të paraqiten në të gjithë procesin. Gjithashtu, bashkëpunimi midis të gjithë pjesëmarrësve në industrinë e kriptomonedhave, përfshirë startup-et, kompanitë e themeluara dhe institucionet akademike, për të nxitur përparimin dhe inovacionet kolektive në këtë fushë.

• Korniza ligjore për mbrojtjen e investitorëve: Kundër aktorëve të pandershëm që promovojnë mjete financiare të paqena dhe i vënë në lajthitje investitorët.

• Korniza ligjore për asetet kripto: Për të mundësuar tregtimin e kriptovalutave në bashkëpunim me mjete të tjera financiare për fondet private të investimeve. Kjo do të stimulojë tregjet financiare në shtet, do të ofrojë siguri shtesë për investitorët dhe potencialisht do të rrisë kapitalin e të gjitha palëve të përfshira.

• Zbatimi i një sistemi pagesash për transaksionet kripto-denar: Me qëllim që të mundësohet tregtimi i mallrave dhe shërbimeve me kriptovalutat ndërmjet konsumatorëve dhe firmave private. Për të ruajtur stabilitetin dhe likuiditetin e denarit, çdo transaksion kripto të konvertohet në denarë. // REL/

https://www.evropaelire.org/a/investitoret-kripto-ne-maqedonine-e-veriut-pa-kornize-ligjore-/33315192.html