Qëndrime të ndryshme për çështjen e ndryshimit të stemës shtetërore. Opozita maqedonase shprehet kundër një iniciative të këtillë pasi sipas tyre, kjo temë është hapur në mungesë zgjidhjes së problemeve ekonomike, reformave dhe eurointegrimeve. Deputeti Oliver Spasovski, në intervistën për Alsat, theksoi se ata janë kundër ndryshimit të stemës pasi që Maqedonia është krijuar në themelin e luftës nacional-çlirimtare dhe antifashizmit, ndërsa stema aktuale për momentin i pasqyron të gjitha atributet e shtetit dhe qytetarëve.
“Ne vlerësojmë se në këtë moment nuk duhet të kemi hapje të Kushtetutës dhe ndryshim të simboleve të shtetit, as të stemës e as të himnit. Pasi që, kemi shumë çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me standardin e qytetarëve, ekonomisë e kështu me radhë që duhet t’i zgjidhim në këtë moment dhe jo të hapim këso çështje. Domethënë edhe luani është i papranueshëm për ju, fare të mos preket ajo temë? Nuk dua fare të diskutojmë për diçka që nuk ka propozime”, deklaroi Oliver Spasovski, deputet i LSDM-së.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, ritheksoi se VLEN nuk ka marrëveshje me VMRO-DPMNE-në për çështjen e stemës, ndërsa kushti i tyre për të mbështetur ndryshimin e saj, është që të ndryshohet edhe himni shtetëror, por edhe të hiqet përkufizimi i 20 përqindëshit në kushtetutë që i referohet popullit shqiptar dhe gjuhës së tyre. Mexhiti në podcastin “Dialog te Lajmi” u shpreh i prerë se pa marrëveshje, nuk do të pranojnë iniciativa të njëanshme nga VMRO-ja.
“Deri sot, mendoj edhe në të ardhmen, me marrëveshje mund të vijnë iniciativat. Pa marrëveshje normal që qëndrimi jonë do të jetë kundër. Jo vetëm si qëndrim, por mendoj se është qeveri multietnike, qeveri ku ka përfaqësues të shqiptarëve dhe mendoj se është e qartë siç merren vendimet tjera për përfaqësim edhe në këto vendime që janë më jetike e kritike, që kanë të bëjnë me të ardhmen, mund të ndodhin me konsensus”, tha Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, paraprakisht për Alsat deklaroi se një propozim i këtillë nuk është i pranueshëm. Ai, pranoi se luani është një ndër simbolet që propozohet për të zëvendësuar stemën aktuale.
“Pra kuptoj që ju, për dallim nga VLEN, jeni kundër që të ndryshohet 20 përqindëshi? Pra, ne jemi në mënyrë të përgjithshme, ai është mendim i im si deputet, vlerësoj se do të duhej, tërësia e Marrëveshjes së Ohrit dhe ajo që është përcaktuar si parim, fraza, definicione, të drejta dhe obligime ndaj shtetit të ruhen ashtu siç janë”, u shpreh Antonio Milloshoski, deputet i VMRO-DPMNE.
Kundër ndryshimit të stemës, në parim është shprehur edhe partneri tjetër i koalicionit qeveritar ZNAM, megjithatë lënë hapur mundësinë për të biseduar. Opozitarja BDI është deklaruar se mbështet idenë e stemës, por edhe ata vlerësojnë se bashkë me të, duhet të ndryshohet edhe çështjet e hapura shqiptare. Partia e Majta, është kundër ndryshimit, pasi sipas tyre me këtë fshihet lufta nacional-çlirimtare dhe antifashiste e shtetit dhe kritikojnë VMRO-DPMNE-në se në vitin 2009 e kanë hequr nga stema yllin pesëcepësh i cili është simbol komunist. Çështja e stemës është rihapur pas një dekade, kur BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja e udhëhequr nga Nikolla Gruevski, ranë dakord që luani të jetë simbol shtetëror për çka, BDI-ja theksonte në opinion se i njëjti është edhe simbol shqiptar. /Alsat.mk