Lloga: Me iniciativën për shkarkimin e Këshillit Gjyqësor, RMV del hapur kundër Raportit të Misionit Vlerësues
Ish ministri i drejtësisë Krenar Lloga përmes një postimi ka reaguar në lidhje me shkarkimin e Këshillit Gjyqësor ku mes tjerash tha se Maqedonia e Veriut i del hapur kundër Raportit të Misionit Vlerësues, të dërguar në Maqedoni nga BE-ja në vitin 2023.
“Me iniciativën për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, Maqedonia e Veriut i del hapur kundër Raportit të Misionit Vlerësues, të dërguar në Maqedoni nga BE-ja në vitin 2023, i cili është i inkorporuar edhe në Strategjinë Sektoriale për Reforma në Sistemin e Drejtësisë 2024-2028.
E gjithë kjo është gjithashtu pjesë e Agjendës Reformuese të BE-së për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të së cilës Maqedonia e Veriut përfiton fonde dhe grante në vlerë prej 750 milionë eurosh.
Humbja e fondeve nga agjenda e reformave në kuadër të “Planit për Rritje” për Maqedoninë e Veriut do të kishte disa pasoja serioze:
1. Ngadalësim i reformave – Ky plan lidhet me reformat strukturore të kërkuara nga BE-ja. Pa këto fonde, reformat mund të vonohen ose të mbeten të paplota.
2. Më pak investime – Fondet e BE-së ndihmojnë në përmirësimin e infrastrukturës, arsimit, administratës publike dhe ekonomisë. Humbja e tyre do të thotë më pak investime në sektorët kyç.
3. Besueshmëri më e ulët – Maqedonia e Veriut do të dërgonte një sinjal negativ te partnerët ndërkombëtarë, duke dëmtuar imazhin e saj si vend i gatshëm për integrim evropian.
4. Rritje e barrës financiare – Pa ndihmën e BE-së, qeveria do të duhej të siguronte fonde nga burime të tjera, si huamarrja, duke rritur borxhin publik.
5. Vonesë në integrimin evropian – BE-ja mund ta shohë këtë si mungesë serioziteti në zbatimin e reformave, duke ndikuar negativisht në rrugën e integrimit.
Nëse Maqedonia e Veriut nuk i përmbush kushtet e kërkuara, fondet mund të ridrejtohen për vende të tjera të rajonit” – ka shkruar Lloga përmes një statusi në FB.