Linja telefonike e qeverisë për paraqitjen e korrupsionit pesë muaj pas paralajmërimit ende nuk është lëshuar

Pesë muaj pas paralajmërimit, Qeveria ende nuk e ka hapur linjën telefonike të cilën e paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski, në të cilën qytetarët do të munden të paraqesin korrupsion dhe sjellje devijuese të politikanëve dhe administratorëve. Nga Qeveria, thonë se po punohet për vënien në funksion të linjës telefonike, ndërkaq plotësisht për luftën kundër korrupsionit po ndërmarrin masa shtesë, duke kryer revizione dhe duke i informuar organet përkatëse për shkeljet e konstatuara.

“Për momentin, linja telefonike për të cilën pyesni ende është në fazë të zbatimit, ndërkaq opinioni do të informohet nëpërmjet kumtesës për detajet e kontaktit dhe mënyrës së shfrytëzimit. Qëllimi jonë është që të sigurojmë sistem i cili do të jetë i sigurt, transparent dhe i dobishëm për të gjithë qytetarët. Gjithashtu po ndërmerren masa për rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë së institucioneve. Në atë drejtim, tanimë po zbatohen revizione, ndërkaq rezultatet po dërgohen deri tek organet kompetente për veprim të mëtutjeshëm”, tha Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Ish anëtari i Komisionit për Antikorrupsion, Shemsi Sallai, vlerëson se pavarësisht premtimit, një linjë e tillë telefonike nuk do të ishte e nevojshme, pasi në shtet ka një sërë institucionesh ku mund të paraqiten rastet.

“Edhe sikur ta bënin ose mos e bënin, nuk ka nevojë një linjë e tillë sepse shumëfishohet numri i vendeve ku mund të denoncohen, kurse rezultatet nuk merren. Ajo është vetëm sa me dhënë një masë kështu para opinionit se ja ne punojmë, ja ne do t’i denoncojmë. Kemi organe ku mund të denoncohen, është Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, ku ka shumë raste edhe gjatë periudhës kur ne kemi qenë si ekip nga 2019-ta deri më 2024-shin, ka pasur një fluks të madh të qytetarëve, por nga mosveprimi i qeverisë dhe organeve të tjera, Prokurorisë ose Inspektorateve të ndryshme, që nuk kanë vepruar në iniciativat tona është humbur pak interesimi dhe vullneti i qytetarëve për të denoncuar”, tha Shemsi Sallai, ish anëtar i Antikorrupsionit.

Sipas Sallait, masat e deritanishme qeveritar për luftë kundër korrupsionit janë vetëm deklarative, por pa rezultate konkrete.

“Aktivitetet e kësaj qeverie, prej momentit të formimit diku në verën e kaluar e deri më tani, kanë qenë më tepër deklarative t’i themi si çdo qeveri deri më tani. Ka pasur iniciativa, ka pasur në lëvizje në atë drejtim se gjoja bëhet një çfarë hapje e procedurave për x persona, të cilët kanë qenë apo janë të involvuar, por nga rezultatet e deritanishme tregohet se vetëm në formë deklarative, asgjë konkrete dhe asnjë rezultat konkret nuk kemi”, shtoi Shemsi Sallai, ish anëtar i Antikorrupsionit.

Qeveria e udhëhequr nga Hrisitjan Mickoski, në vazhdimësi ka vendosur theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit si një ndër problemet më serioze me të cilat përballet shteti në vitet e fundit. Në periudhën prej kur me qeverinë udhëheqë Mickoski u hapën disa lëndë nga Prokuroria për korrupsion të nivelit të lartë edhe atë për keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore ku të akuzuar janë ish zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe ish drejtori Përparim Bajrami. Më tej, rasti Aditiv, ku i akuzuar është ish drejtori i Elektranave të Maqedonisë, Vasko Kovaçevski. Gjithashtu, u hap rast kundër ish drejtorit të Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta Pece Mirçevski, por edhe për keqpërodrimet në ndërtimin e fasadës së qeverisë.