Lefter Maliqi: Politikanët e arrestuar duhet të kenë kujdes, i thashë Salianjit të ruhet nga ushqimi në burg
Këtë të hënë, ish-deputeti Lefter Maliqi, teksa ishte i ftuar në programin e drekës në News24, ka bërë deklarata të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe situatës politike në vend.
Maliqi theksoi se Rama duhet të japë llogari për “të gjitha të këqijat që ka bërë”, duke përmendur edhe ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili më herët kishte deklaruar se “kishte shpëtuar”, pasi po të ishte në burg, mund të ishte eliminuar.
Ish-deputeti akuzoi Prokurorinë e Tiranës, se prej katër muajsh po përpiqet ta penalizojë për deklaratat e tij, duke çuar letra mbi një procedim penal kundër tij për “përhapje paniku”, pasi ka paralajmëruar ish-deputetin Ervin Salianji lidhur me ushqimin në burg, duke e zgjeruar këtë paralajmërim edhe për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“Politikanët që ka futur Rama në burg duhet të ruhen nga ushqimet. Në burgje janë futur edhe pistoleta”, u shpreh Maliqi, duke ngritur shqetësime për sigurinë brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.