Lawson: Me qeverinë e RMV-së kemi mendime të ndryshme për çështje ndërkombëtare, por si partnerë në NATO punojmë bashkë
Gjatë vizitës së sotme në Shtip, ambasadori britanik Matthew Lawson tha se ka pasur një bisedë të frytshme me kryetarin e komunës së Shtipit për sigurimin e investitorëve nga Britania për përfundimin e Spitalit klinik dhe shpreson se do të ketë investitorë britanikë edhe në fusha të tjera ekonomike, duke shtuar se avarësisht se me qeverinë e RMV-së mund të kenë mendime të ndryshme për çështje ndërkombëtare, por si partnerë në NATO duhet të punojnë bashkë dhe kanë qëllime të përbashkëta.
Më 24 shkurt, në përvjetorin e tretë të pushtimit rus, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nuk e miratoi rezolutën amerikane që bënte thirrje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë pa përmendur agresionin e Rusisë. Maqedonia, së bashku me Hungarinë, Gjeorgjinë dhe Izraelin, ishte bashkë-sponsor i kësaj rezolute të SHBA-së. Asambleja e Përgjithshme miratoi një rezolutë rivale ukrainase të mbështetur nga evropianët që kërkon tërheqjen e menjëhershme të Rusisë nga Ukraina.
Në këtë drejtim, Lawson tha se Ukraina ka qenë gjithmonë prioritet për Mbretërinë e Bashkuar.
“Ne mund të kemi mendime të ndryshme me qeverinë maqedonase për disa çështje ndërkombëtare, por si partnerë në NATO kemi qëllime të përbashkëta dhe do t’i arrijmë së bashku, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me sigurinë dhe mbrojtjen më të madhe në rajon”, tha Lawson.
Dje, ambasadori francez në vend, Christophe Le Rigoller, tha se vendimi për votimin e rezolutës për Ukrainën nga Maqedonia ishte i papritur dhe theksoi se qëllimi i diplomacisë evropiane është të ruajë unitetin dhe të ketë të njëjtën qasje të përbashkët që do të sigurojë sigurinë e kontinentit në vitet e ardhshme.