Kryeministri britanik: S’është në pyetje vetëm Ukraina, por tërë siguria e Evropës

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka folur pas takimit urgjent me liderët evropianë në Paris për çështjen e Ukrainës. Ai ka thënë se nuk është në pyetje vetëm e ardhmja e Ukrainës, por është çështje ekzistenciale për Evropën në tërësi, ka raportuar BBC-ja.

Sipas tij, është moment që përfshin tërë sigurinë kolektive të Evropës, duke shtuar se vetëm një paqe e qëndrueshme që ruan sovranitetin e Ukrainës do ta pengojë presidentin rus, Vladimir Putin “nga agresioni i mëtejshëm në të ardhmen”.

“Ne duhet të njohim epokën e re në të cilën jemi, duke mos u kapur pa shpresë e pas komoditeteve të së kaluarës. Është koha që ne të marrim përgjegjësinë për sigurinë tonë, për kontinentin tonë”, ka deklaruar Starmer, derisa ka potencuar se Britania do të ndërmarrë një përgjegjësi udhëheqëse.

Për opsionin e vendosjes së trupave paqeruajtëse britanike në Ukrainë, Starmer ka thënë se do të ishte i gatshëm “nëse do të kishte pasur ndonjë planifikim se sa trupa do të nevojiteshin dhe cili do të ishte roli i tyre”.

“Unë mendoj se ne po ecim përpara këtu”, ka thënë kryeministri britanik, duke shtuar se ekziston nevoja për diskutime mbi një paqe të qëndrueshme.