Kremlini: Dërgimi i Forcave të NATO-s në Ukrainë, i papranueshëm për Rusinë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka theksuar se për Rusinë është “i papranueshëm” stacionimi i kontigjenteve ushtarake nga vendet e NATO-s në territorin ukrainas.

Në një deklaratë për shtyp të dhënë këtë të enjte, Peskov, i bëri jehonë deklaratave të ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili tha se Rusia nuk do të pranojë dërgimin e forcave paqeruajtëse nga vendet e NATO-s në Ukrainë edhe nëse arrihet një marrëveshje për paqen.

Reagimet janë përgjigje ndaj deklaratës së kryeministrit britanik, Keir Starmer, i cili të martën e kaluar theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të konsideronte dërgimin e trupave britanike në Ukrainë në rast të një marrëveshjeje paqeje.

Peskov ka komentuar gjithashtu vlerësimet që flasin për një rënie të mbështetjes popullore për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai ka thënë se kjo “është një prirje e dukshme”, por ka shmangur ofrimin e detajeve lidhur me shifrat përkatëse.