Kosovë/ Numërohen 100% të votave për partitë politike – ky është rezultati preliminar nga KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas afro dy javë nga mbajtja e zgjedhjeve më 9 shkurt, ka arritur të përmbyll procesin e numërimit të të gjitha votave të rregullta për subjektet politike.

Tashmë në ueb faqen e KQZ-së figuron që numërimi i votave ka përfunduar 100% në 2 mijë e 533 vendvotime.

Si rezultat i kësaj, Lëvizja Vetëvendosje është partia e parë më 40.80% apo 342 mijë e 281 vota. E dyta renditet Partia Demokratike me 22.03% apo 184 mijë e 811 vota.

Në vendin e tretë sipas KQZ-së është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.63% apo 147 mijë e 888 vota dhe në vendin e katërt koalicioni AAK-Nisma me 7.46% apo 62 mijë e 588 vota.

Kujtojmë se ende nuk janë numëruar votat me kusht, ato me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

KQZ ndërkaq ka njoftuar sot se në 31 komuna të vendit ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, ndërsa në 7 të tjera është duke vazhduar ky proces.