Korrupsioni në Ministrinë e Mjedisit thellohet – Çfarë roli ka shefi i kabinetit të Mexhitit?

BDI denoncon edhe njëherë skandalin e rëndë të korrupsionit në Ministrinë e Mjedisit, ku pas një kontrolli të Inspektoratit për Administratë, është konfirmuar keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga ana e ministrit Izet Mexhiti dhe kabinetit të tij.

Por pyetja që mbetet pa përgjigje është: Çfarë roli ka shefi i kabinetit të Mexhitit në këtë aferë?

Burime të besueshme nga brenda Ministrisë së Mjedisit raportojnë se shefi i kabinetit të Mexhitit ka qenë figura kyçe në skemën e kushtëzimeve dhe ryshfeteve, duke ushtruar presion ndaj kompanive dhe qytetarëve për çdo shërbim administrativ.

Nga licencat dhe lejet mjedisore deri te procedurat e zakonshme burokratike, asgjë nuk kalonte pa miratimin e tij dhe skemave korruptive të drejtuara nga kabineti i Mexhitit.

Të njëjtët individë kanë qenë të përfshirë në skema të ngjashme korruptive edhe në Komunën e Çairit, duke e shndërruar atë në një makth urbanistik për qytetarët.

Përmes lejeve të dhëna në mënyrë korruptive, ata kanë degraduar hapësirën urbane dhe kanë shkatërruar cilësinë e jetës në këtë zonë.

BDI kërkon nga institucionet hetimore që të zgjerojnë hetimet jo vetëm ndaj Mexhitit, por edhe ndaj personave kyç në kabinetin e tij, përfshirë shefin e tij të kabinetit, i cili për muaj me radhë ka drejtuar një sistem të mirëorganizuar të shantazhit dhe korrupsionit brenda Ministrisë së Mjedisit.

Kjo qeveri po fundoset çdo ditë e më shumë në skandale, duke dëshmuar paaftësinë dhe korrupsionin e saj të hapur.

BDI do të vazhdojë të denoncojë çdo rast të keqpërdorimit të pushtetit dhe të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë ata që shkelin besimin e qytetarëve.