Janevska për konceptin e ri të arsimit të mesëm: Është normale të ketë reagime, nuk përjashtohet mundësia për ndryshime

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në lidhje me reagimet për konceptin e arsimit të mesëm, thotë se qëllimi i konceptit të ri është është që në vendin e parë të vijnë afinitetet e nxënësve, ndërsa me këtë të arrihet edhe në sukses më të mirë në arsimin e Maqedonisë së Veriut.

” Arsyet për ndryshimin e konceptit të arsimit të mesëm, është që ai 24 vjet në Maqedoni nuk ka ndryshuar. E gjithë shoqëria pajtohet se nevojitet ndryshim dhe ne së bashku me Byronë për Zhvillimin e Arsimit kemi ofruar një koncept të propozuar për arsimin e ri të gjimnazit. Në këtë konceptim, në qendër vendoset nxënësi, afinitetet e tij ndaj lëndëve të caktuara ose ndaj fushave të caktuara, fusha që do të ngjallin interesin dhe dëshirën e tij për të mësuar. Dihet se, për fat të keq, nxënësit tanë nuk tregojnë rezultate të mira në testimet ndërkombëtare, por edhe ato të brendshme. Shpresojmë që me një koncept të tillë, nxënësit që tregojnë interes për lëndë të caktuara do të kenë sukses më të mirë, sepse me dëshirë do t’i zotërojnë njohuritë dhe aftësitë dhe kompetencat e atyre lëndëve”, tha ministrja në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Për Janevskën është normale që të ketë reagime sepse, siç thotë, çdo risi shkakton reagime të bujshme, por thekson se ky është një draft version që është vënë në debat publik dhe priten sugjerime nga fella e ekspertëve.

Nuk e përjashton mundësinë për ndryshime në koncept.

“Jemi në kontakt me Byronë për Arsim, e cila de fakto është organi ekspert për të krijuar dhe propozuar koncepte, kurrikula dhe programe. Nuk kemi pasur një takim serioz deri më tani, por do ta realizojmë. Në kontaktet fillestare, po, jemi të gatshëm të bëjmë disa ndryshime”, thekson Janevska.

Thotë se nuk hiqen lëndët Etika dhe Logjika dhe se ato janë pjesë e Filozofisë.

Shton se debati publik do të vazhdojë dhe se koncepti do të përpunohet.