Infektimi me “zgjebe” në Kumanovë, tre të dyshuarit e tjerë nuk janë prekur

Pas njoftimit të djeshëm se në Sh.F.K. “Cirili e Metodi” në fshatin Rramanli të Kumanovës tek një nxënës është konfirmuar zgjeba, kurse për tek tre të tjerë dyshohet, gjatë ditës së sotme nga Qendra e Shëndetit Publik njoftuan se pas analizave rezulton vetëm një nxënës të jetë i infektuar. Mjekja Edita Ramizi nga Qendra e Shëndetit Publik apelon që të kihet kujdes me sëmundjet ngjitëse, siç është zgjeba.

“Në departamentin tonë pranë QShP-së është paraqitur vetëm një rast i konfirmuar i infektuar me “zgjebe”, bëhet fjalë për një nxënës në Sh.F.K. “Qirili e Metodi” në fshatin Rramanli, përfundimisht deri më tani nuk kemi raste të tjera. Rekomandimi im kishte me qenë që ata nxënës që dyshojnë të paraqiten menjëherë te mjeku amë me çka mjeku amë t’i udhëzojë te specialisti, i cili do ta konfirmojë diagnozën për të gjitha ato ndryshime të cilat i ndjejnë ata persona në lëkurën e tyre.”, – theksoi dr. Edita Ramizi nga Qendra për Shëndet Publik – Kumanovë.

Ndryshe, menjëherë pas paraqitjes së këtij rasti, masat që i ndërmori shkolla në bashkëpunim me QShP-në janë edhe ligjëratat për sëmundjet ngjitëse, kurse gjatë ditës së djeshme ekipet e tyre qëndruan në ambientet e shkollës ku ndërmorën masat adekuate rreth këqyrjes së gjendjes aktuale, si dhe u krye dezinfektimi i tërësishëm i shkollës.

“Ekipi ynë menjëherë ka shkuar në mbikëqyrje në shkollën e lartpërmendur dhe atje janë dhënë rekomandimet e duhura, sikur izolimi i nxënësit të infektuar, trajtimi i tij, por edhe i të gjithë atyre që kanë pasur kontakt fizik të ngushtë me të infektuarin dhe është bërë dezinfektimi sipas indikacioneve epidemiologjike nga shërbimi ynë i duhur, si dhe kemi dhënë disa mjete dezinfektuese për shkollën.”, – theksoi dr. Edita Ramizi nga Qendra për Shëndet Publik – Kumanovë.

Nga Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë na njoftuan se edhe në ditët në vijim do ta përcjellin me kujdes situatën në këtë shkollë.