Haradinaj thotë se KQZ-ja është kapur nga pushteti: As pas 24 orëve nuk dihen rezultatet preliminare

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se KQZ-ja ka dështuar për herë të parë në Kosovë që as pas 24 orëve të mos dihen rezultatet prelinintare.

Ai për këtë ka akuzuar Qeverinë Kurti, sipas tij e ka kapur këtë institucion.

Haradinaj thotë se kuadrot profesionalë të KQZ-së janë zëvendësuar me militantë partiakë.

“Kapja e institucioneve të pavarura nga qeveria Kurti ka arritur kulmin me dështimin e plotë të sistemit të KQZ-së në zgjedhjet parlamentare. Për herë të parë në historinë e Kosovës së pavarur, rezultatet preliminare të zgjedhjeve nuk dihen as pas 24 orëve. Kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e zëvendësimit të kuadrove profesionale me militantë partiakë dhe angazhimi i kompanive të teknologjisë informative përmes tenderëve të dyshimtë njëburimor. Raportimet që po marrim nga terreni dëshmojnë për një skemë të organizuar të manipulimit të rezultateve zgjedhore. Përmes kontrollit politik të KQZ-së dhe ‘sistemit të dështuar teknik’ i cili po ndodh qëllimshëm, po tentohet të ndryshohet vullneti i qytetarëve. Kjo është goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe vlerave për të cilat kemi luftuar”.

“Ne qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të votës së lirë dhe sistemit demokratik. Nuk do të lejojmë që vota e qytetarëve të tjetërsohet përmes skemave manipulative. Do të përdorim të gjitha mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e sovranit. I bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që me urgjencë të marrin masa dhe të hetojnë manipulimet e deritashme dhe të parandalojnë degradimin e mëtejshëm të procesit”, ka thënë Haradinaj.