Në Belgjikë sot mbahet grevë e përgjithshme, për shkak të së cilës janë anuluar të gjitha fluturimet nga aeroportet e Belgjikës, transporti publik është reduktuar dhe nuk punojnë administrata shtetërore, posta shtetërore, shkollat dhe shërbimet komunale, si dhe rojet e burgjeve.
Greva është në organizim të disa sindikatave belge, si rezultat i pakënaqësisë nga reformat e paralajmëruara dhe politika ekonomike e Qeverisë së re Federale të Belgjikës.
Sipas Marrëveshjes së Koalicionit për formimin e Qeverisë, të arritur më 31 janar, mes tjerash parashikohet ulje e shpenzimeve buxhetore për 23 miliardë euro në pesë vitet e ardhshme, si dhe reforma në politikën tatimore, rritje e kufirit të pleqërisë për pensionim dhe ulje e mjeteve për mbrojtjen sociale.
Në kuadër të grevës janë paralajmëruar edhe marshe protestuese në të cilat pritet pjesëmarrja e disa dhjetëra mijë personave. Vetëm në protestën në Bruksel priten rreth 60.000 demonstrantë.
Grevës së përgjithshme i janë bashkuar edhe kontrollorët e fluturimeve, për shkak të së cilës hapësira ajrore mbi Belgjikën është mbyllur nga ora 06:45 deri në 22:15 dhe aeroplanët të cilët kalojnë mbi territorin belg fluturojnë në lartësi prej mbi 7.500 metra dhe shërbehen nga kontrollorët e fluturimeve të vendeve fqinje.