Dy oficerë të policisë palestineze janë vrarë dhe një tjetër është plagosur rëndë nga bombardimet izraelite në Rafah në Rripin e Gazës jugore, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Brendshme e Gazës njoftoi për viktimat, duke theksuar se oficerët u vendosën për të siguruar hyrjen e ndihmave humanitare në zonën Al-Shaëka, në lindje të qytetit Rafah, kur ata u vunë në shënjestër.
Ministria palestineze e dënoi ashpër sulmin dhe u bëri thirrje “ndërmjetësve dhe komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë presion mbi okupimin (izraelit) për të ndalur shënjestrimin e forcës policore, e cila është një organ civil përgjegjës për ruajtjen e sigurisë publike dhe organizimin e punëve të përditshme”.
Oficerët e policisë palestineze u vendosën për të siguruar hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit.
Zyrtarët palestinezë janë ankuar se Izraeli po dështon në respektimin e pjesës së marrëveshjes për të lejuar më shumë ndihmë humanitare.
Më 19 janar, në Gaza hyri në fuqi një marrëveshje armëpushimi, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit e cila ka vrarë të paktën 48.200 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.