Mjekët palestinezë dhe ekipet e shpëtimit nxorrën tetë trupa të tjerë nga rrënojat në Rripin e Gazës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vrarëve nga lufta gjenocidale e Izraelit që nga tetori 2023 në 48.219, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se në këtë shifër janë përfshirë edhe tre palestinezë të vrarë nga të shtënat izraelite në 24 orët e fundit.
Sipas ministrisë, 10 persona të plagosur u shtruan gjithashtu në spitale, duke e çuar numrin e të plagosurve në 111.665.
Nga ministria gjithashtu bëjnë të ditur se akoma ka kufoma të bllokuara nën rrënoja.
Marrëveshja e armëpushimit është në fuqi në Gaza që nga 19 janari, duke ndalur luftën izraelite që ka shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe ka lënë enklavën palestineze në gërmadha.
Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhrarreste në nëntor të vitit të kaluar për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.