Fiorentina deklason Interin, futet në top katër skuadrat më të mira në Serie A

Fiorentina u ngjit në katërshen e parë të Serie A dhe i shkaktoi Inter Milan vetëm humbjen e dytë të sezonit në kampionat me një fitore të thellë 3-0.

Ndeshja u zhvillua si vazhdim i sfidës së ndërprerë në dhjetor pas arrestit kardiak të Edoardo Bove.

Loja rifilloi me një rivënie anësore për Fiorentinën në minutën e 17-të, por ishte Interi që e gjeti më shpejt ritmin e lojës.

Lautaro Martínez detyroi David de Gean të bëjë një pritje të mirë, ndërsa më pas Luca Ranieri ndali një goditje të Alessandro Bastonit.

Interi mendoi se kishte kaluar në epërsi në minutën e 30-të kur Carlos Augusto shënoi pas një topi të rikthyer në zonë nga Bastoni, por pas rishikimit me VAR goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Ky moment shërbeu si sinjal zgjimi për Fiorentinën, e cila u hodh në sulm. Vetëm tre minuta më vonë, Fabiano Parisi harkoi saktësisht për Moise Kean, por Yann Sommer arriti të devijonte goditjen me kokë të sulmuesit. Kean më pas shërbeu një pasim të artë për Dodô, i cili e shpërdoroi mundësinë duke gjuajtur jashtë portës.

Viola më në fund arriti të finalizojë në minutën e 60-të, kur një goditje këndi e Rolando Mandragoras u shndërrua në gol nga Ranieri, i cili shënoi me një goditje precize me vole në cepin e portës.

Vetëm pak minuta më pas, Ranieri u rikthye në detyra mbrojtëse, duke bllokuar një tjetër tentativë të Martínez. Ky moment u bë edhe më i rëndësishëm në minutën e 65-të, kur Dodô gjeti Kean të lirë në shtyllën e dytë dhe këtë herë sulmuesi nuk gaboi, duke e dërguar topin në rrjetë për rezultatin 2-0.

Interi u përpoq të reagonte, por një goditje e Nicolò Barellës nga distanca dhe një rast i humbur nga Marko Arnautović ishin të vetmet raste të rrezikshme për skuadrën e Simone Inzaghit.

Në minutën e 89-të, Kean shfrytëzoi një pasim të gabuar të mbrojtjes dhe, pasi dribloi Sommerin, vulosi fitoren 3-0 për Fiorentinën.

Kjo ishte fitorja e parë e Fiorentinës ndaj Interit në Stadio Artemio Franchi që nga viti 2017, ndërsa Viola vazhdon serinë e saj pozitive me katër ndeshje pa humbje. Ndërkohë, kjo disfatë bën që Interi të humbasë mundësinë për t’u ngjitur në krye të tabelës për shkak të golavarazhit.

Napoli vazhdon ta kryesojë Serie A pas 23 xhirove të elitës italiane.