“Fenomeni” Mersim Zeqiri synon të mbetet i pathyeshëm edhe në vitin 2025

Mersim Zeqiri po tregohet një fenomen i boksit shqiptar në dy vitet e fundit.

Boksieri shqiptar nga Maqedonia e Veriut ka qenë i pathyeshëm deri tash në boksin profesionist.

Boksieri nga Garana e Kërçovës, i cili qe një kohë të gjatë jeton dhe vepron në Zvicër, synon që edhe në vitin 2025 ta ruajë serinë perfekte.

Në vitin që shkoi ai i fitoi titujt UBO dhe UBF Intercontinental.

Në total, Mersimi i ka shtatë fitore në shtatë meçe, duke i mahnitur të gjithë me këtë arritje për një kohë të shkurtër.

E Zeqiri, përmes “Management Promotion – ArenaRing” e ka zyrtarizuar gala mbrëmjen e radhës, e cila do të mbahet në pjesën e dytë të vitit në Uster të Zvicrës.

Në këtë spektakël të boksit, krahas tij do të marrin pjesë edhe gjashtë gladiatorë të tjerë siç janë Ramadan Hiseni, Victor Cakiqi, Aleksander Kallashi, John Gjini e Marius Antonietti.

Natyrisht, ëmbëlsira mbi tortë e natës së 11 tetorit do të jetë pikërisht Zeqiri, i cili do të mundohet ta mbrojë brezin e artë në WBF Intercontinental.

Ky titull konsiderohet si njëri prej më të mirëve në këtë Federatë, pas titullit të botës, të cilin e kishte fituar një legjendë si Evander Holyfield.

Organizator i këtij spektakli të boksit do të jetë promotori Avdyl Salihu, kurse Besim Laci do të merret me menaxhim me media dhe për marketing, ndërsa do t’i udhëheqë edhe konferencat për media dhe do të jetë prezantues në ring.

Mersim Zeqiri do t’i nisë përgatitjet në muajt në vazhdim, në mënyrë që t’ua demonstrojë të gjithëve se sukseset e arritura deri tash nuk kanë qenë të rastësishme.

Kampi i Zeqirit e kanë falënderuar Federatën dhe WBF për mundësinë e dhënë që ai të luftojë për këtë titull, ndërkohë që e falënderuan edhe Federatën e Boksit të Zvicrës, me të cilin kanë një bashkëpunim mjaft profesional.

Gjithashtu, kampi i Zeqirit iu ka bërë thirrje sponsorëve që duan të bëhen pjesë e këtij spektakli të boksit, të cilët i mirëpresin, pasi së bashku me ta do të ishte më i lehtë organizimi i kësaj gala mbrëmjeje të boksit.