“Espresso Macchiato” kënga e Estonisë në Eurovision ngjall polemika në Itali: Fyese

Nëse imitimi është forma më e sinqertë e lajkave, italianët nuk janë aspak dakord me këtë. Vendi mesdhetar është “ngritur në këmbë” për paraqitjen e Estonisë në konkursin e këngës së Eurovizionit të këtij viti . Duke interpretuar me një përzierje të anglishtes dhe italishtes, reperi Tommy Cash bazohet në një sërë stereotipash italiane në këngën e tij, “Espresso Macchiato”.

Kënga, e cila zgjat pak më pak se tre minuta, ka ndezur disa polemika në Itali dhe tani Codacons, një shoqatë konsumatore, u ka bërë thirrje organizatorëve të konkursit jashtëzakonisht popullor që ta heqin atë.

Një video e pazakontë për këngën në YouTube tregon Cash duke pirë një filxhan kafe, ndërsa melodia tërheqëse, tipike për hyrjet në Eurovizion përmban tekstin: “Ciao bella, unë jam Tomaso, i varur nga duhani. Më pëlqen kafeja shumë e rëndësishme.”

Ai gjithashtu këndon: “parat e mia pafund, punoj rreth orës. Prandaj djersitem si mafioz.” Një rresht tjetër thotë: “Jeta është si spageti, është e vështirë derisa t’ia dalësh”.

Cash përshkruhet në uebsajtin e Eurovizionit si “një artist i kërkuar me popullaritet të madh” që përzien “butësinë e papërpunuar me humorin e shtrembëruar”.

Codacons paraqiti një apel në Unionin Evropian të Transmetimeve (EBU), i cili drejton konkursin.

Codacons e përshkroi këngën si “fyese” për paraqitjen e “stereotipave për Italinë dhe italianët, të lidhura me klishetë e zakonshme të kafesë dhe spagetit, por mbi të gjitha me mafien dhe shfaqjen e luksit, dhe që dërgon mesazhin e një populli të lidhur me krimin e organizuar”.

Codacons tha në një deklaratë: “Ashtu siç duhet të kundërshtohen, me të drejtë, këngët e reperëve me tekste seksiste dhe fyese ndaj grave, lind pyetja nëse, bazuar në të njëjtat kritere, është e përshtatshme të lejohet një këngë që ofendon një vend dhe një komunitet të tërë të marrë pjesë në Eurovizion, dhe që rrezikon të transmetojë mesazhe të pasakta që dëmtojnë reputacionin e një kombi dhe reputacionin e tij. (Codocons) i kërkon EBU-së me këtë apel të vlerësojë masa të tilla si përjashtimi i mundshëm i këngës ‘Espresso Macchiato’ nga Eurovizioni i ardhshëm.”