Dokumente të reja kanë dalë në dritë, duke ngritur dyshime mbi përdorimin e fondeve publike nga ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Sipas transaksioneve të Thesarit, Veliaj ka shpërndarë dhjetëra mijëra euro ndaj figurave publike në këmbim të mbështetjes së tyre për aktivitetet e Bashkisë.
Burime konfirmojnë se aktori Ermal Mamaqi ka përfituar 80,000 euro nga Bashkia e Tiranës gjatë viteve 2023 dhe 2024, si financim për filmin “Dy gisht mjaltë” dhe një tjetër aktivitet kulturor.
Ndërkohë, më herët është raportuar se edhe reperi Noizy ka marrë 300,000 euro përmes të njëjtës skemë.
Në dukje, këto personazhe publike promovonin projektet e Bashkisë, por dokumentet sugjerojnë se pagesat vinin nga fondet publike, për të siguruar pjesëmarrjen e tyre në aktivitete si mbjellja e pemëve apo shpërndarja e ushqimeve.
Ish-kryebashkiaku Veliaj ndodhet aktualisht në paraburgim, i akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës, në një hetim që përfshin edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.