Erdogan: Turqia, ideale për bisedimet Rusi-SHBA për Ukrainën

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, pas një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se Turqia mund të jetë vendi më i mirë për të organizuar negociatat për problemin ukrainas.

Sipas Erdogan, iniciativat e presidentit amerikan Donald Trump për paqen, kanë shumë të përbashkëta me politikën e Turqisë për Ukrainën.

Ai përmendi gjithashtu bisedimet e zhvilluara me Zelensky dhe premtoi se do të ofrojë ndihmë gjithëpërfshirëse për dialogun për problemin ukrainas, i cili sipas kreut të shtetit turk, duhet të përfundojë në paqe të qëndrueshme.

Negociatat mes delegacioneve ruse dhe amerikane u zhvilluan në Riad më 18 shkurt. Pas tyre, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi se biseda me përfaqësuesit amerikanë në Riad ishte e dobishme dhe palët mundën jo vetëm të dialogonin, por edhe të dëgjonin njëri-tjetrin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio vuri në dukje se pala ruse tregoi gatishmërinë e saj për të diskutuar seriozisht, krizën ukrainase gjatë negociatave. Rubio shtoi se përfundimi i konfliktit do të kërkojë një qasje konstruktive nga të dyja palët. Ai përsëriti disa herë se zgjidhja e Ukrainës, nuk do të ishte një detyrë e lehtë./