Emiratet e Bashkuara Arabe refuzojnë çdo përpjekje për zhvendosjen e palestinezëve

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan i tha Sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio se Emiratet e Bashkuara Arabe refuzojnë “çdo përpjekje për të zhvendosur popullin palestinez nga toka e tyre”, ndërsa zoti Rubio zhvilloi të mërkurën një vizitë në Abu Dhabi.

Deklaratat u raportuan nga media shtetërore e Emirateve të Bashkuara Arabe, që po ashtu njoftoi se presidenti nënvizoi nevojën për të parandaluar zgjerimin e konfliktit në Gazë.

Sipas së njëjtës media, Presidenti nënvizoi rëndësinë e rindërtimit të Gazës dhe ndjekjen e një udhe që çon në një paqe gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete, si mënyra e vetme për të garantuar qëndrueshmërinë rajonale.

Udhëheqësit arabë kanë refuzuar planet e sugjeruara nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, që palestinezët të largohen nga Gaza drejt vendeve të tjera të rajonit dhe që SHBA-të të marrin kontrollin e rajonin palestinez dhe ta rindërtojnë atë.

Vizita e Sekretarit të Shtetit Rubio ishte pjesë e një turneu në disa shtete, që përfshiu gjithashtu bisedime me udhëheqës në Izrael dhe në Arabinë Saudite. Vizita u zhvillua ndërsa po afrohen javët e fundit, të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Lirimi i pengjeve

Një udhëheqës i lartë i Hamasit tha të martën se grupi militant planifikon të lirojë të shtunën gjashtë pengje të tjerë izraelitë të cilët mbahen në Gazë. Po kështu ai bëri të ditur se do të dorëzojë edhe trupat e pajetë të katër pengjeve të enjten.

Udhëheqësi i Hamasit, Khalil al-Hayya e bëri njoftimin e papritur në një deklaratë të regjistruar, që u pa si reagim ndaj vendimit të Izraelit për të lejuar hyrjen e shtëpive portative dhe pajisjeve të ndërtimit në Rripin e Gazës, të kërkuara prej kohësh.

Gjashtë pengjet janë grupi i fundit që do të lirohen sipas fazës së parë të armëpushimit që skadon në fillim të marsit, ndërsa Hamasi besohet se mban ende rreth 70 pengje të tjerë, gjysma e tyre të gjallë. Katër trupa të tjerë pengjesh pritet të kthehen javën e ardhshme.

Deri më tani, gjatë armëpushimit, Hamasi ka liruar 24 pengje dhe Izraeli ka liruar më shumë se 1000 të burgosur palestinezë.

Sidoqoftë, tani palët ndërluftuese duhet të negociojnë fazën e dytë dhe më të vështirë të armëpushimit. Hamasi thotë se në këtë fazëdo të në lirojë pengjet e mbetura vetëm në këmbim të ndalimit të përhershëm të luftimeve dhe tërheqjes së plotë të trupave izraelite nga Gaza.

Ndërkohë, Izraeli nuk është tërhequr nga objektivi i tij, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, për të eliminuar çdo rol ushtarak apo qeverisës të Hamasit në Gazë.

Ministri i Jashtëm i Izraelit Gideon Saar tha të martën se Izraeli është i gatshëm të fillojë negociatat mbi detajet e fazës së dytë. Ato bisedime është dashur të kishin filluar para dy javësh, sipas marrëveshjes së armëpushimit.

Në komentet e tij, Hayya tha se “familja Bibas” do të përfshihet në dorëzimin e katër trupave të pajetë, duke iu referuar sipas gjasave zonjës Shiri Bibas dhe dy djemëve të saj të vegjël, Arielit dhe Kfirit, që për shumë izraelitë simbolizojnë edhe betejën e pengjeve.

Izraeli ende nuk i ka konfirmuar vdekjet e tyre dhe zyra e Kryeministrit Benjamin Netanyahu i ka bërë thirrje publikut të mos shpërndajë “foto, emra dhe thashethëme”. Izraeli ka shprehur shqetësime të thella për fatin e familjes Bibas ndërkohë që Hamasi thoshte se ata janë vrarë gjatë bombardimeve izraelite në fillim të luftës. Yarden Bibas, bashkëshorti dhe babai, i cili u rrëmbye në një vend tjetër, u lirua këtë muaj.

Kfiri, i cili ishte 9 muajsh në kohën kur u rrëmbye, ishte pengu më i ri i rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor të vitit 2023 gjatë sulmit ndaj Izraelit, që shkaktoi luftën 15 muajshe. Video regjistrimet nga rrëmbimi shfaqin zonjës Shiri duke mbështjellur djemtë e saj kuqloshë në një batanije ndërkohë që burra të armatosur e çonin tutje.

“Orëve të fundit jemi tronditur pas publikimit të njoftimit të zëdhënësit të Hamasit rreth kthimit të Shirit, Arielit dhe Kfirit këtë të enjte si pjesë së lirimit të civilëve të rrëmbyer”, deklaroi familja përmes një kumtese. “E kemi të rëndësishme të tregojmë se jemi në dijeni të këtyre njoftimeve por se ende nuk kemi marr një njoftim zyrtar mbi këtë çështje”.

“Përderisa të mos marrim një njoftim të saktë, rrugëtimi ynë nuk do të përfundojë”, deklaroi familja.

Një zyrtar izraelit tha se Kryeministri Netanyahu ka lejuar futjen e shtëpive portative dhe pajisjeve të ndërtimit në Gazë për të përshpejtuar lirimin e pengjeve. Javën e kaluar Hamasi u kërcënua se do të shtynte lirimin e pengjeve të tjera, duke iu referuar çështjes së shtëpive portative dhe shkeljeve të tjera të marrëveshjes së armëpushimit.

Izraeli pritet të vazhdojë lirimin e qindra të burgosurve palestinezë, përfshirë shumë prej të cilëve po vuajnë dënime me burgim jetësor për kryerjen e sulmeve të përgjakshme, në këmbim të pengjeve.

Hamasi, organizatë që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur terroriste, vrau rreth 1,200 persona në sulmin e tetorit të vitit 2023 dhe rrëmbeu rreth 250 të tjerë. Mbi gjysma e pengjeve janë liruar si pjesë e marrëveshjeve paraprake të armëpushimit, ndërsa tetë u shpëtuan përmes operacioneve ushtarake.

Lufta ajrore dhe tokësore e Izraelit ka shkaktuar vdekjen e mbi 48,200 palestinezëve, shumica grad he fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila nuk tregon numrin e militantëve të vrarë. Ushtria izraelite thotë se kjo shifër përfshin 17 mijë militantë. Pjesë të tëra të Gazës janë shkatërruar dhe ofensiva ka zhvendosur shumicën e 2.3 milionë banorëve të Gazës./VOA