Komuniteti rom i qytetit të Korçës ka protestuar ditën e sotme përpara gjykatës lidhur me akuzën e ngritur ndaj Dritson Kurtit, i cili rrezikon të dënohet deri në disa vite burg, pasi kreu marrëdhënie me një të mitur, me të cilën bashkëjetonte dhe solli në jetë një fëmijë.
Kryetari i shoqatës së Komunitetit Rom të Korçës, Avni Kallo i ka kërkuar gjykatës lirimin e 21 vjeçarit pasi sipas tij, komuniteti rom e ka traditë martesën në moshë të re.
“Po e mbajnë në burg të padrejtë. Por ne e kemi si kanun, si traditë që na e kanë lënë pleqtë. Ne e dimë ligjin, por avash avash do e rregullojmë. Ne e kemi që martohemi që në djep. Ça ke lindur ti, djal. Ça ke lindur ti, vajzë. Do ti fejojmë. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë e Gjykatës që ky të shkojnë në shtëpi se ka një fëmijë për të rritur. E ëma i ka vdekur, i ati e ka braktisur”, tha Kallo.
Te njëjtën gjë kanë kërkuar gjyshja dhe bashkëjetuesja e Dritson Kurtit, të cilët duan që 21-vjeçari të lirohet nga burgu.
“Të lutem më lironi burrin. Ai nuk më ka marrë me dhunë mua, më ka marrë te familja. Ai nuk më ka nxjerrë në rrugë. Ai më ka marrë me krijuar familje. As atësinë e fëmijës nuk e kam vetë. Gjykatësja ka kërkuar 25 vite burg. Çfarë ka bërë ai që ta dënojnë 25 vite burg. Unë një krah pune e kisha, ai punonte dy punë dhe sillte për të ngrënë”, tha bashkëjetuesja e Dritson Kurtit.
Nuredin Dumani në gjyq: Vodhëm 500 mijë euro në shtëpinë e dhëndrit të Agron Dukës
Një e afërme e 21 vjeçarit është shprehur se edhe ajo është martuar në moshën 13 vjeçare dhe ka ndërtuar një familje të shëndetshme, por nuk është dënuar për një gjë të tillë.
“Unë 13 vjeç u martova dhe bëra një familje të shëndetshme e të fortë dhe rroj si zonjë. E kemi traditë. Po të shkonte çupa 19-20 vjeçe, nuk do e merrte njeri. Të merrte një burrë me fëmijë. Unë burrin e mora me dashuri. Po bëri çupa tre klasë, e merr tjetri nga shkolla”, tha ajo.
Prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet me akuzën e “marrëdhënies seksuale me të mitur” dhe në bazë të kësaj akuze, 21 vjeçari rrezikon deri në 25 vite burg.