Conceisao pas fitores ndaj Romës: Gimenez dhe Joao Felix janë lojtarë inteligjentë

Sergio Conceisao, në një intervistë për “Canale 5”, komentoi fitoren 3-1 kundër Romës dhe kualifikimin në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë: “Baza në futboll dhe në jetë për mua është pasioni dhe ambicia për atë që bën. Jam i kënaqur me këtë ndeshje, por nuk do të thotë që herët e tjera lojtarët kanë vrapuar më pak.

Kemi pasur vetëm një seancë stërvitore për t’u përgatitur për këtë sfidë, nuk kam mundësinë të punoj në detaje, por kam një ekip lojtarësh inteligjentë. Jam i lumtur për këtë paraqitje. Jam shumë i kënaqur me golin e dytë dhe gjithashtu me dy afrimet e reja, të cilët janë lojtarë inteligjentë”.
I mrekullueshëm goli i Joao Felix: “Ai shënoi një gol të bukur, por ende s’kemi bërë asgjë, na duhen edhe tri ndeshje për ta fituar Kupën e Italisë. Tani duhet të mendojmë për Empolin, që do të jetë një sfidë shumë e vështirë. Shpresojmë të vazhdojmë kështu”, tha tekniku i Milanit.
Mbi rëndësinë e gjetjes së ekuilibrit: “Ekuilibri i skuadrës është thelbësor, sepse futbolli bazohet pikërisht në këtë, si kur e ke topin, ashtu edhe kur nuk e ke. Po punojmë dhe përpiqemi të përmirësohemi gjithmonë, por ekuilibri është thelbësor”.

Për Leao: “Mund të bëjë më shumë, shumë më shumë, sepse ka cilësi të jashtëzakonshme. Duhet ta kuptojë se duhet të punojë shumë edhe kur nuk e ka topin. Ai luan në një ekip dhe duhet të vihet në dispozicion të grupit. Të dalësh nga zona e rehatisë nuk është e lehtë, por për mua është thelbësore. Ai mund të bëjë shumë më tepër, sepse është lojtar i një niveli tjetër”.

Ngjashmëritë me Porton e tij: “Ende jo, po punojmë për të qenë një skuadër më kompakte dhe më agresive. Tani me afrimet e reja mund të fillojmë të punojmë më mirë, sepse karakteristikat e tyre më lejojnë të luaj me dy sulmues, ashtu siç më pëlqen mua”.