Çfarë nënkupton afrimi i Trump-it me Rusinë për Kinën

Joe Leahy, Max Seddon (Financial Times)

Riformësimi dramatik i rendit gjeopolitik nga Donald Trump këtë javë, i cili radhiti SHBA-të me Kinën dhe Rusinë në vend të aleatëve evropianë të Washington-it, ka ngritur mundësi të vyera për Xi Jinping, por edhe rreziqe për liderin kinez, thonë analistët.

Në një tregues të qartë të prioriteteve të riorganizuara të Washington-it, Rusia dhe Kina mbështetën një rezolutë të SHBA-ve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që bënte thirrje për një “fund të shpejtë” të luftës në Ukrainë, por nuk fajësonte Moskën për konfliktin.

Franca dhe Britania e Madhe, të cilat kishin kërkuar të shtynin votimin, abstenuan.

Përqafimi i politikave transaksionale nga presidenti amerikan sugjeron se ai mund të jetë më i hapur për të negociuar me Kinën mbi tregtinë, kontrollet e eksporteve dhe ndoshta edhe mbështetjen e Washington-it për Tajvanin, thanë ekspertët.

Por ata shtuan se Xi do të ishte i kujdesshëm ndaj asaj që disa analistë kinezë e shohin si një përpjekje e SHBA-ve për të krijuar një pykë midis Pekin-it dhe partnerit të tij të ngushtë, Moskës.

“Po hyjmë në një botë të re tani. Me Trump 2.0, ky rend ndërkombëtar liberal po shembet”, tha Wang Dong, drejtor ekzekutiv i Institutit për Bashkëpunim dhe Mirëkuptim Global të Universitetit të Pekin-it.

Fragmentimi i rendit liberal të udhëhequr nga Perëndimi është një justifikim i botëkuptimit të Xi-së.

Për vite me radhë, ai ka folur për “ndryshime të mëdha të papara në një shekull” – partia komuniste kineze flet për rënien e SHBA-ve dhe ngritjen e Kinës në një botë shumëpolare.

Ekspertët e cituar në mediat shtetërore kineze thanë se përpjekjet e SHBA-ve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë demonstruan dobësi perëndimore dhe shpërblenë përdorimin e forcës nga presidenti rus Vladimir Putin.

Ajo gjithashtu ngre dyshime për mbështetjen e SHBA-ve për partnerët e saj, për të cilat analistët e huaj thanë se mund t’i japë Xi-së një dorë më të lirë në shtyrjen e Tajvanit për të pranuar pretendimin e Pekin-it për sovranitet.

Por disa analistë kinezë shqetësohen se afrimi i SHBA-ve me Rusinë mund të jetë një dredhi për ta bërë më të lehtë për Washington-in që të përqendrohet në frenimin e Kinës.

“Ka pasur, të paktën me akademikët e PRC-së, disa shqetësime për një lloj ‘prapakthimi të Nixon-it’”, tha Ja Ian Chong, profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Kombëtar të Singapor-it, duke iu referuar vendimit të ish-presidentit amerikan Richard Nixon në vitet ’70 për të riparuar marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës në mënyrë që të ushtronte presion mbi rivalin e tyre, Bashkimin Sovjetik.

Ideja këtë herë do të ishte izolimi i Pekin-it.

Për Rusinë, zbutja me SHBA-të do të ndihmonte në reduktimin e varësisë së saj ekonomike nga Kina pasi sanksionet e shkëputën nga shumë tregje globale dhe BE-ja, deri tani partneri i saj më i madh tregtar.

Tregtia e Rusisë me Kinën arriti në 245 miliardë dollarë vitin e kaluar – një rekord, por ende më pak se 270 miliardë dollarët e Moskës në tregtinë me BE-në në vitin 2021, viti i fundit i plotë përpara pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës.

“Riorientimi drastik i kohëve të fundit drejt Kinës ka qenë nga nevoja, jo një zgjedhje e qëllimshme politike”, tha Vasily Astrov nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare. “Çdo diversifikim i opsioneve ekonomike larg Kinës do të ishte sigurisht në interesin e Rusisë”.

Por Thomas Graham, një ish-drejtor i lartë për Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, tha se SHBA-të nuk kishin gjasa që të thyenin strategjinë afatgjatë të Moskës për të thelluar partneritetin e saj me Pekin-in.

“Xi dhe Putin flasin gjatë gjithë kohës. Ata janë miq shumë të mirë”, tha Graham. “Ideja se ne mund t’u japim rusëve Ukrainën dhe gjithçka që ata duan në Evropë, dhe ata do të thoshin: ‘Mendojeni këtë, ne me të vërtetë nuk na pëlqejnë kinezët dhe ne do t’i prishim ato lidhje’ – është thjesht e gënjeshtërt”.

Në një telefonatë këtë javë me Putin-in, Xi u përpoq të riafirmonte forcën e marrëdhënieve, duke thënë se Kina dhe Rusia ishin “miq të vërtetë” të gatshëm për të ndarë “mirëqënien dhe fatkeqësitë”.

Wang Dong i Universitetit të Pekin-it vuri në dukje se çdo marrëveshje me Trump mund të zgjidhet nga administrata e ardhshme.

“Nëse do të ishit udhëheqës të ulur në Pekin dhe Moskë, a do të ishit kaq naiv të besoni se të gjitha problemet midis Moskës dhe Washington-it thjesht do të zhduken?”

Duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë, disa akademikë kinezë thanë se një marrëdhënie më e ngrohtë personale midis Trump dhe Xi mund të lehtësojë një pazar të madh mbi tarifat, tregtinë dhe shitjen e operacioneve të aplikacionit kinez TikTok në SHBA.

“Pekini mund të konsiderojë garën me Putin-in për të ftuar Trump-in në Kinë dhe për të shkuar në SHBA përpara se Putin-i ta bëjë këtë”, tha Shen Dingli, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare me bazë në Shangai.

Studiuesit perëndimorë thanë se ndërrimi i qëndrimit të SHBA-ve për Ukrainën dhe komentet e mëparshme nga Trump ngritën gjithashtu pyetje në lidhje me gatishmërinë e tij për të mbajtur mbështetjen për Tajvanin.

“Xi mund ta shikojë vendimin e SHBA-ve për të negociuar drejtpërdrejt me Rusinë për luftën në Ukrainë, pa një vend në tryezë për Ukrainën, si një precedent për negociatat e drejtpërdrejta me Trump mbi Tajvanin”, shkroi David Sacks, një anëtar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, në një postim në blogun e tij Asia Unbound.

Të tjerë, megjithatë, argumentuan se Xi do të ishte kundër çdo sugjerimi që pretendimet territoriale të Pekin-it mbi Tajvanin ishin të hapura për negociata.

“Xi do të pranojë me kënaqësi çdo lëshim që Trump mund të ofrojë për Tajvanin, por fokusi i tij kryesor në negociata do të jetë shmangia e masave ekonomike të SHBA-ve”, tha Neil Thomas, një bashkëpunëtor në Qendrën për Analizën e Kinës të Institutit të Politikave të Shoqërisë së Azisë.

Kina gjithashtu mund të përpiqet të shfrytëzojë mundësinë për të përmirësuar marrëdhëniet me Evropën në mes të mosmarrëveshjes së Trump me fuqitë kryesore të kontinentit.

Wang Wen, profesor dhe dekan ekzekutiv i Institutit Chongyang për Studime Financiare në Universitetin Renmin të Kinës, tha në një intervistë me National Business Daily në pronësi shtetërore se veprimet e Trump treguan “përçmim” për Ukrainën dhe Evropën.

“Kinezët janë të sigurt se mund të shfrytëzojnë kërcënimet transatlantike për të përmirësuar pozicionin e tyre në Evropë”, tha Sergey Radchenko, një profesor në Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare. “Nëse ka një person që po bën prapakthimin e Nixon-it, ai është Xi Jinping”.