Berisha reagon ndaj Ministrisë së Kulturës: Ky është “ndryshimi”, as 15 për qind projekte kulturore shqiptare!
Nënkryetarja e Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët – krahu i Ziadin Selës, Vjollcë Berisha, ka reaguar ndaj projekteve të miratuara nga Ministria e Kulturës, ku shumë artistë shqiptarë dhe botues që aplikuan, nuk përfituan asgjë, pasi projektet e tyre u refuzuan.
Berisha në Facebook shkruan se vendimet e Ministrisë së Kulturës janë diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe përqindja e shqiptarëve që përfituan përkrahje në projektet e tyre nuk është as 15 për qind.
Reagimi i plotë:
As 15 për qind projekte kulturore shqiptare. Edhe syri më i pavëmendshëm mund ta dallojë së largu diskriminimin e pashembullt. Mjafton të shihet lista e projekteve të sivjeme. Edhe kjo përqindje është arritur me individë, jo me institucione e botues seriozë, jo me organizime të vlefshme e me traditë nga fusha e muzikës, teatrit, e mos flasim më për filmin.
Nuk po ua dëgjoj zërin atyre që vitet e kaluara as 30 për qind nuk i kënaqte!
Kultura është thelbi, është ruajtja e qenësisë.
Programi nacional për kulturë për vitin 2025 nuk është vetëm jo mbështetës, por edhe i turpshëm.
Së fundmi edhe komuniteti i çmuar i kulturës e ndjeu “ndryshimin” e trumpetuar. Edhe ndryshimi për të keq është ndryshim. Ndoshta ne s’e kemi nxënë kuptimin e vërtetë semantik.