Berisha paralajmëron Ramën: Prokurorët amerikanë do të vijnë në Tiranë, do thirresh për krimet

“Prokurorët amerikanë do të vijnë edhe në Tiranë dhe Rama do të thirret për krimet që ka kryer”. Është ky paralajmërimi i kreut demokrat Sali Berisha në bashkëbisedimin e së premtes me gazetarët, sipas të cilit mesazhet që erdhën nga Kongresi amerikan e cilësuan Shqipërinë një vend të korruptuar.

“Krahu tjetër është në kaos, në panik, në shthurje, në tmerr. Mesazhe të kristalta erdhën nga Kongresi i SHBA. Shqipëria, korrupsion, korrupsion dhe vetëm korrupsion qeveritar. Paratë e taksapaguesve amerikanë janë shpërdoruar nga gratë dhe lidhjet e tjera familjare të elitës së korruptuar të ekstremit të majtë shqiptar. Edvin Sinaloa mori së fundmi një goditje fatale të pashpresë. Edvin Sinaloa, me deklarimin që i bëri presidenti Trump Sinaloas si organizatë terroriste, është tashmë në rreth të kuq si bashkëpunëtor kryesor i organizatave terroriste. Atij nuk i pushojnë lajmet e këqija që i vijnë për bëmat dhe gjëmat e tij. Pra, në një anë, në Kongresin amerikan denoncohet se ish-gruaja dhe të tjerë kanë përfituar 10 milionë…A e dini ju që unë i kam denoncuar këto me datën 28 korrik 2021? E kam denoncuar atë si marrëveshje korruptive. Kam denoncuar edhe ambasadoren Yuri Kim si kumbarë të kësaj marrëveshje korruptive. Edhe shqip, edhe anglisht e kam publikuar atë status. Tani, këto shkuan në Kongresin e SHBA. Nuk flasin një fjalë për këto, as Edvini, as Çuçi. Prokurorët amerikanë do vijnë edhe në Tiranë. Ata nuk mund t’i kontrollojë Rama më. E vërteta është që nga dita në ditë, ky njeri mund të thirret për krimet që ka kryer. Ndaj nuk e zë vendi vend”, tha Berisha.

Më tej Berisha u kërkoi mediave të mbajnë qëndrim të rreptë kundër Ramës, pasi sipas tij po mashtron me bisedën “Sy m’Sy”.

“Kontrolli i fakteve provoi se Eduardi që i bënte pyetje, nuk ekzistonte dhe se pyetjet ia kishte vërë Edvini vetes së vet. Pra, ai para jush nuk del për të marrë pyetje. Para gazetarëve nuk del për të marrë pyetje. Se këtu është problemi. Ai ka gjetur një mënyrë për të mos u ballafaquar me gazetarët, i bën pyetje vetes dhe thotë po m’i bëjnë shikuesit. Dhe përpiqet të bëjë tualetin e tij për të gjithë të zezat që ka bërë. Por kjo mënyrë është akoma më keq se ERTV. Pra, pas ERTV, ky është akti më i rëndë që është kryer ndaj medieve. Zëvendëson gazetarin me veten e tij, duke i bërë pyetje vetes dhe thotë po m’i bën Eduardi, persona që nuk ekzistojnë aty. Unë absolutisht e dija që ditën e parë se në çdo fjalë mashtron. E dënoj me forcën më të madhe këtë model të padëgjuar në botë. Dhe ka një muaj që nuk del para një gazetari. As në parlament nuk vjen. Edi Rama, nuk ka shpëtim”. (A2 Televizion)